E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: “Kasat fiskale, pas uljes së pragut të TVSH-së në 3 milionë”



Ervin KOÇI

Biznesi privat do të pajiset i gjithi me kasa fiskale vetëm pasi qeveria të ketë ulur tavanin e pagesës së TVSH-së në masën 3 milionë lekë xhiro në vit. Ky deklarim është bërë nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, sipas të cilit primare për qeverinë është ulja e pragut të TVSH-së për biznesin deri në fund të vitit, pastaj do të vijohet me instalimin e kasave fiskale. “Besoj që këtë vit do të bëjmë një hap tjetër përpara, për të zbritur në 3 milionë lekë dhe mbase vitin që vjen do të zbresim në bazën që të gjithë bizneset me mbi 2 milionë lekë do të kenë TVSH dhe do të kenë raportimin on-line të të dhënave të tyre”,- ka deklaruar Ministrit i Financave, Ridvan Bode. Ai ka thënë më tej se, “për kasat fiskale, janë miratuar sistemet nga një komision i Ministrisë së Financave dhe po implementohen. Edhe biznesi i vogël do t’i implementojë kasat dhe do të jenë në transmetim on-line”. Ministri Bode ka pranuar edhe faktin e problemeve që ka pasur deri tani projekti i instalimit të kasave tek bizneset e mëdha dhe të vogla. “Janë vetëm 2 mijë kasa të futura nga disa kompani me keqkuptim apo të themi të pasqaruara, por me dashje, të cilat nuk kanë kapacitetin e transmetimit on-line të veprimeve në krahasim me 14 mijë kasa që sot janë në treg”,- tha Bode. Sipas tij, rreth 80-90 për qind e kasave janë në kushtet e përshtatshme teknike për të bërë transmetimin on-line. “Ato 2 mijë me probleme do të mundohemi t’i sugjerojmë kompanive që t’i mbledhin dhe t’i implementojnë tek bizneset me xhiro më pak se 2 milionë lekë, i cili do të jetë edhe limiti i fundit për të mos u përfshirë në TVSH-ë”,- tha Ministri.

Kontrollet
Nga verifikimet në terren dhe testimet e kryera nga grupi i punës në Ministrinë e Financave, rezulton se disa shoqëri të autorizuara për shitjen dhe shërbimin e kasës fiskale kanë abuzuar duke tregtuar mall të pacertifikuar. Sakaq, në ministri ka nisur prej 4 ditësh faza e madhe e provimit për të pesta shoqëritë, të cilët duhet të kalibrojnë pajisjet e tyre sipas vendimit të fundit. Mësohet se njëra shoqëri nuk ka mundur të marrë autorizimin nga ministria për shkak të mangësive në pajisje dhe dokumentacion, kurse një tjetër e ka kaluar provën dhe është gati të dalë në treg. Mbeten për t’u testuar edhe tre shoqëri të tjera. Sipas sistemit të ri, shoqëritë duhet të zbatojnë kritere të reja në instalimin e kasave, të cilat duhet t’u përmbahen standardeve të kërkuara nga Ministria e Financave. Aktualisht në treg janë shpërndarë rreth 6 mijë kasa, ku rreth 33 për qind prej tyre rezultojnë se nuk i plotësojnë standardet. Këtë fakt e konfirmoi dhe vetë ministri i Financave, sipas të cilit nuk do të ketë asnjë tolerim.

Afati
Muaji qershor është afati i fundit për biznesin e vogël të Tiranës dhe qyteteve të mëdha në rang qarku. Deri në fund të muajit, këto biznese kanë mundësi që t’i vendosin kasat, në të kundërt do të aplikohen gjoba që shkojnë deri në 100 mijë lekë të reja, madje dhe me mbyllje aktiviteti kush e përsërit. Problem për biznesin do të jetë gatishmëria e shoqërisë së kasave, nëse ka mundësi ta ofrojë shërbimin, për aq kohë sa janë të impenjuara me testimin në ministri. Pas këtij testimi, nëse e kalojnë, shoqëritë duhet të implementojnë sistemin e ri me kasat e shitura, proces që kërkon kohë.

Karburantet
Proces tepër i vështirë konsiderohet instalimi i kasave për pikat e shitjes me pakicë të karburanteve. Ka pasur disa vendime, projektligje dhe udhëzime nga Ministria e Financave në drejtim të procesit të vendosjes së kasave për karburantet, por kanë dështuar për arsye të ndryshme që lidhen me terrenin, kushtet ekonomike etj., por edhe për shkak të abuzimit nga shoqëritë. Me vendimin e fundit, instalimi i kasave për karburanteve kthehet në proces transparent, i detajuar dhe i garantuar, si për konsumatorin, ashtu edhe për autoritetet e tatimeve.

21 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›