E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfaqen sërish farërat e misrit shterp, autoritetet e bujqësisë nisin verifikimin



Përveç çmimit të lartë të shërbimeve të tokës bujqësore, fermerët në disa rrethe të vendit po përballen përsëri me problemin e farërave dhe pesticideve të skaduara. Edhe këtë vit janë evidentuar farëra dhe pesticide që nuk plotësojnë standardet e kërkuara dhe as që bëhet fjalë të garantojnë prodhimin e fermerit. Pa e përgjithësuar problemin, pika të veçanta të shitjes së farërave dhe inputeve bujqësore në rrethin Fier sugjerojnë për fermerët lëndë të para dhe kimikate të mbetura stok, apo që nuk japin efekt. Një rast i tillë i ndodhur në Komunën Strum të rrethit Fier është evidentuar nga fermerët dhe pikërisht njëri prej tyre, Nuredin Gega, i është drejtuar me ankesë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Fier. Një distributor në Bashkinë e Roskovecit ka mundur të shesë farën e kulturës së misrit për një farë me rendiment të lartë, duke joshur fermerët. “Ky mashtrim bëhet vetëm për qëllime përfitimi, ndërkohë që nga ana e Drejtorisë së Bujqësisë janë marrë të gjitha denoncimet dhe po hetohen rast pas rasti”,- shprehet inspektori i DRBUMK-së për farërat, Gani Saliko. Sipas tij, për rastet që denoncohen nga fermerët farëra që nuk japin prodhim dhe pas verifikimeve në terren bëhet vlerësimi i dëmit për fermerët, pra zhdëmtimi i tyre. Përballë disa rasteve të denoncimit për farëra shterpë, Drejtoria e Bujqësisë është duke ushtruar kontroll te të gjitha pikat e shitjes së farërave. Gjatë vitit 2009, Drejtoria e Bujqësisë, pas konstatimeve të bëra në kultura bujqësore, të cilat nuk kishin dhënë produktivitet, bëri të mundur zhdëmtimin e 15 fermerëve të dëmtuar nga shitja e produkteve false. Gjithsesi, për rastet e këtij viti, Drejtoria e Bujqësisë është duke bërë verifikimin dhe më pas premton me ndërhyrje. Tri javë më parë, ishin fermerët e Lushnjës ata që akuzuan për abuzimin me farërat e domates.

Prodhimi vendas ul çmimet, tregtarët ankohen për blerje të pakta

Futja në treg e prodhimit bujqësor vendas ka ulur çmimet e produkteve ushqimore, veçanërisht frutave dhe perimeve. Tregtarët shprehen se tregjet e brendshme furnizohen aktualisht me prodhim vendas, i cili ka cilësi më të mirë se malli i importit. Por edhe pse çmimet kanë pësuar rënie, tregtarët ankohen për nivelin e ulët të blerjeve. “Ka mall me bollëk i gjithë i vendit. Çmimet në përgjithësi kanë rënë se është mall vendas, por blerjet janë shumë dobët. Qytetarët ankohen se nuk kanë para për të blerë”,- shprehen tregtarët. Muajt e verës janë edhe periudha kur në tregjet tona vërshon prodhimi vendas, me cilësi dhe çmim më të mirë se produktet e importit. Në këtë periudhë vihet re edhe një rritje e konsumit, për shkak të turistëve dhe kthimit të emigrantëve në atdhe për pushime.

Leku zhvlerësohet ndaj valutave, priten pasoja në ekonomi

Kjo javë nuk ka qenë e mbarë për monedhën kombëtare. Leku shqiptar është zhvlerësuar më tej kundrejt valutave të forta. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, dollari shkëmbehet me 110.5 lekë, ndërsa euro ruan kuotën e 136.7 lekëve. Zhvlerësimit i monedhës kombëtare vijon tashmë prej shumë muajsh dhe është pasojë kryesisht e mungesës së valutës në treg. Rënia e kostos së monedhës kombëtare rëndon klientët e bankave që kanë marrë kredi në euro e dollarë dhe të ardhurat i kanë në lekë, pasi ata do të paguajnë më shumë, pasi normës së interesit i shtohet edhe kosto e transaksionit. Pasojat e zhvlerësimit të lekut do të ndihen edhe në tregti, pasi pritet rritje e importeve dhe rrjedhimisht, edhe e çmimeve në treg. Zhvlerësimi i monedhës sonë ka nisur që në fillim të vitit 2009 dhe kjo është një ndër pasojat e krizës financiare globale.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 18.06.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.50%
12M 12-mujor 6.92%
6M 6-mujor 6.09%
3M 3-mujor 5.33%
1M 1-mujor 5.07%
1Ë njëjavor 4.65%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.67%
1Ë njëjavor 6.33%
o/n njëditor 5.76%
12M 12-mujor 8.75%
6M 6-mujor 7.83%
3M 3-mujor 7.06%

21 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›