E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, qytetarët nuk paguajnë për të marrë certifikatën e pronësisë



Suksesi i legalizimit tani është në dorë të qytetarëve. Kreu i agjencisë rajonale të legalizimit për Tiranën, Agim Berisha, ka ftuar të 15 mijë pronarët e rinj që kanë marrë një faturë pagese të kryejnë atë për ti hapur rrugë më pas procedurave të tjera nga marrja e lejes së legalizimit e deri në marrjen e certifikatës së pronësisë. "Qytetarët duhet të reagojnë më shpejt për të bërë pagesat në mënyrë që të mbyllet faza e këtij procesi. Ka një tentativë që qytetarët paguajnë vetëm taksën e ndryshimit në infrastrukturë, që është pagesa për banesën, po kjo nuk është procesi i legalizimit. Procesi i legalizimit kërkon të gjitha llojet e pagesave që qytetari ka në dosje, pra, pagesa për parcelën, pagesa për taksën e ndikimit, dhe pagesa për tarifën e shërbimit",- tha Agim Berisha, drejtor ALUIZNI-t, Tiranë. Deri tani, mbi një mijë banorë të përfshirë në legalizim kanë marrë hipotekën për banesat e tyre, ndërkohë edhe 3 mijë të tjerë janë në proces në zyrat e regjistrimit të pronësisë. Por shifrat tregojnë se mbetet për të bërë edhe një volum shumë i madh pune. "Gjithë qarku i Tiranës ka rreth 83 mijë ndërtime pa leje, deri tani rreth 70 mijë janë identifikuar në terren, rreth 40 mijë kemi miratuar me vendim qeverie kalim pronësie. Pra, është hapur rruga për të vazhduar fazat e mëtejshme të procesit. Pas këtyre, vjen përgatitja e dokumentacionit, dosjes që jepet, fatura e qytetarit për të bërë pagesën. Me të kryer qytetari pagesën ne japim lejen e legalizimit, atje nënshkruhet një kontratë para noterit, që është kontrata e kalimit të pronësisë mes shtetit dhe pronarit të ri që është krijuar dhe çohet dokumentacioni në hipotekë",- vijoi Berisha. Nga 350 mijë ndërtime të paligjshme një në çdo katër banesa informale janë në qarkun e Tiranës.

Fatura e legalizimeve 46 milionë euro, Ish-pronarët: “Janë paratë tona”

Fatura e kompensimit të pronarëve për tokat e zëna nga ndërtimet pa leje është 46 milion euro. Rreth 100 mijë vendimet e dhëna deri më tani për legalizimin janë njëkohësisht edhe njohja ligjore që shteti i ka bërë kësaj fature. "Rreth 46 milionë shteti shqiptar tashmë duhet t’ia kishte paguar këtyre 1688 personave, sepse ligji i legalizimeve parashikon qe brenda një periudhe 6-mujore nga data e publikimit ne Fletoren Zyrtare të këtyre vendimeve të Këshillit të Ministrave, pronarët duhet të kishin marr paratë e tyre",- thotë Myrshit Vorpsi, sekretar i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Kjo vlerë që ligji e njeh ende nuk ka shkuar tek pronarët pasi qeveria nuk ka aftësi paguese. Shumat e parashikuara në buxhetin e shtetit për kompensim janë shumë më pak. "Për vitin 2010 nga buxheti i shtetit për kompensimin e pronarëve, pra totali i shumës është 23 milionë euro. Për vitin e ardhshëm në planin afatmesëm parashikohet 26 milionë euro, dhe për gjithë këtë katër vjeçar planifikohen në total rreth 146 milionë euro për kompensimin e pronarëve. Ku do të marrin paret si pronarët që do kompensohen për efekt të ligjit për kompensimin, ashtu dhe pronarët që do shpronësohen për efekt të legalizimit. Nëse do të marrim vetëm dy vitet e para shifrat nuk mjaftojnë vetëm për të paguar këto 46 milionë euro",- vijon Vorpsi. Ngatërresat me pronat shtuar edhe problemet që sjell legalizimi e kanë bërë situatën e pronës në Shqipëri gati të pazgjithshme, kurse pronarët pothuaj të pashpresë. "Në fillimet e veta kur është bërë ligji i parë për kthimin dhe kompensimin e pronës, pronarëve i vodhën tokën duke i ofruar kompensimin. Tani me ligjin për krijimin e fondit special, po i vjedhin dhe kompensimin duke i ofruar pafundësi në vite kompensimit të tyre",- tha ai.

21 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›