E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarakët, Gjykata e Lartë, vendim unifikues për pensionet



Ushtarakët kanë paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Lartë duke kërkuar dhënien e një vendimi unifikues, pasi shumë prej tyre kanë fituar një të drejtë që i takon gjithë kësaj kategorie. Një fakt i tillë është bërë nga kryetari i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, i cili, në një intervistë për gazetën, ka komentuar edhe deklaratën më të fundit të ministrit të Financave për pagimin e pensioneve për ish-ushtarakët. Ai theksoi se është paraqitur një kërkesë tjetër pranë kësaj gjykate në muajin qershor dhe synon që të zgjedhë njëherë e mirë padrejtësinë që u është bërë ish-ushtarakëve, pasi thuajse çdo muaj nuk i jepen 10 mijë lekë çdo pensionisti për shkak të llogaritjes së gabuar në skemën e sigurimeve shoqërore.

Zoti Cako, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi para pak ditësh se ushtarakët janë duke u paguar dhe se ligji nuk është i bllokuar. Cili është opinioni juaj për këtë qëndrim?
Kur flasim për bllokim të pensioneve duhet t’i përgjigjemi problemit të ngritur në disa plane dhe të shtrirë në kohë. Së pari, shumë “zhurmë ligjore” është bërë për rreth 20 vjet dhe vazhdon të bëhet, “jo për asgjë”, por për të drejtat e ushtarakëve në pension të parakohshëm dhe të plotë pleqërie. Një paradoks i madh është “e drejta e fituar”, një koncept dhe parim i rëndësishëm në fushën e jurisprudencës dhe të së drejtës mbi pronën private, të vendosur sipas ligjit bazë organik “Për statusin e ushtarakut në Forcat e Armatosura”, votuar me 3/5 e Parlamentit të parë pluralist shqiptar, në vitin 1991 dhe ndryshuar në vitin 2004, me skemë llogaritjeje të njëjtë të inkluduar edhe në ligjet e sigurimeve shoqërore, të votuar me shumicën e thjeshtë.
Duhet thënë se është spekuluar shumë me “të drejtën e fituar” dhe kjo ka të bëjë me të drejtën e lindur të paktën jo që nga momenti i statusit të parë të vitit 1991, por, pas 2 vjet asistence, pra për kontingjentin e parë të ushtarakëve në pension, për rreth 6 vjet, deri më 1 janar 1999, nuk është bërë deri tani asnjë pagesë. Kjo përbën një shumë detyrimi të caktuar, por që shteti nuk e njeh aspak këtë detyrim

A ka një reagim për këtë fakt?
Për këtë nuk ka ende asnjë prononcim apo argument juridik nga Ekzekutivi apo Gjyqësori. Duke vijuar argumentet e mësipërme, nga fillimi i vitit 1999 shumë gjykata kanë marrë vendime të drejta të formës së prerë si në Tiranë, dhe në qarqe të ndryshme. Këto kanë vendosur për rillogaritjen e pensionit sipas pagës referuese të evidentuar e dokumentuar sipas organeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sipas kartelave të drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore. Diferenca e papaguar varion për çdo ushtarak në përputhje me pagën referuese, koeficientin e indeksimit, kontributet e derdhura të sigurimeve shoqërore dhe vjetërsinë, vitet e shërbimit. Me gjithë këtë, nga një studim i përafërt rezulton mesatarisht një diferencë e papaguar rreth 10 000 lekë të rinj në muaj për person për gjithë këtë periudhë. Sipas reformës së zbatuar, pra grupeve të ushtarakëve të dalë në lirim apo rezervë gjatë viteve të ndryshme, secilit nuk i është paguar një shumë e tillë për të cilën shteti është debitor.

A ka pasur reagim nga shoqatat e ushtarakëve për këtë çështje?
Aleanca Kombëtarë e Ushtarakëve të Shqipërisë ka reaguar për këtë duke iu drejtuar në mars dhe qershor të vitit 2010 edhe Gjykatës së Lartë që të bëjë një vendim unifikues. Argumenti është ligjor, jo thjesht një dëshirë e ushtarakëve, pasi ka bazë gjyqet e bëra me Sigurimet Shoqërore, vendimet përfundimtare të formës së prerë me Nr. 179, datë 29.01.2008, Nr. 905, datë 08.05.2008, Nr. 899, datë 08.05.2008, Nr. 9774, datë 13.11.2008, Nr. 10406, datë 02.12.2008, Nr. 2002, datë 16.12.2008, Nr. 177, datë 31.03.2009, Nr. 1932 datë 31.03.2009, Nr. 195, datë 09.04.2009, Nr. 1635, datë 26.11.2009, Nr. 152, datë 04.02.2010 etj. Pjesa më e madhe e tyre janë ekzekutuar nga zyrat përmbarimore.
Bazuar në këto, si dhe në faktin që ka disa rekurse, dhe në kushtet kur Gjykata e Lartë, me Vendimin Nr. 60, datë 18.01.2005, Nr. 19, datë 28.01.2005 me mospranimin e rekurseve të Drejtorisë Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Kukës kundër Vendimit Nr. 55, datë 30.03.2004 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës dhe Vendimit Nr. 173, datë 16.07.2004 të Gjykatës së Apelit Shkodër, është shprehur lidhur me interpretimin dhe zbatimin e nenit 11 të Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996 ”Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH”, kemi kërkuar bërjen e një vendimi unifikues.

Mbi çfarë baze është kërkuar në Gjykatën e Lartë bërja e një vendimi unifikues për pensionet e ushtarakëve?
Për këtë ka bazë ligjore. Është zbatimi i nenit 162 të Kodit të Procedurës Civile në Republikën e Shqipërisë, i cili shprehet: “Kur, për shkak të natyrës së marrëdhënieve juridike që janë në konflikt ose për shkak të një dispozite ligjore, efekti i vendimit që do të jepet shtrihet në të gjithë bashkëndërgjyqësit, veprimet procedurale që janë kryer prej disa bashkëndërgjyqësve kanë efekt edhe për bashkëndërgjyqësit e tjerë që nuk janë paraqitur në gjykatë ose që nuk kanë kryer ndonjë veprim në afatin e caktuar”, marrjen e një vendimi unifikues për praktikën gjyqësore. Lidhur me këtë duhet të bëhet interpretimi dhe zbatimi i nenit 11 germat “a” dhe “b” dhe nenin 18 të Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996 ”Për sigurimin shoqëror suplementar të Ushtarakëve të FA të RSH” i ndryshuar; Nenin 35, pika 1 e 2 dhe 49 të Ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 ”Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, nenin 14, 27 të Ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005 2004 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH”, të pandryshuar dhe të ndryshuar, për trajtimin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve.
Gjithashtu mund të bëhet interpretimi dhe zbatimin e neneve 15, 16, 27, 29 të Ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH”, të pandryshuar dhe të ndryshuar, për trajtimin me pension suplementar pleqërie të ushtarakëve. Ky vendim unfikues do të shmangte jo vetëm veprimet burokratike, kohën e humbur, por do të kursente miliona lekë shpenzime buxhetore për gjyqet dhe kostot e ankimuesve ushtarakë.
Po ashtu, për rreth 1 vit nuk është paguar asnjë shtesë e pensionit e miratuar me Ligjin Nr. 10142, datë 27 qershor 2009 për asnjë pensionist ushtarak, me pension të parakohshëm dhe asnjë me pension suplementar pleqërie. Është e vërtetë që shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë” atakoi 19 nene që shpien në përkeqësim të gjendjes ekonomiko-financiare të ushtarakëve në pension. Po kështu vepruan edhe disa shoqata të tjera. Ligji i mësipërm nuk është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese; nuk është “ngrirë” apo “pezulluar” për të çuar në bllokimin e pagesave të ushtarakëve në pension. Me gjithë këtë duhet thënë se përfaqësues të lartë të Sigurimeve Shoqërore, në një emision televiziv në Top Channel, në vitin 2009, apo edhe në takime të tjera, kanë deklaruar se shtesa është 100 mijë lekë të vjetër në muaj për person me ligjin e ri, dhe jo 9 mijë lekë të vjetër, siç shkruhet në gazeta kohët e fundit. Deri sot nuk është paguar asnjë qindarkë shtesë për rreth 1 vit, nga qershori i vitit 2009 deri në qershor 2010.

Kur do të paguhet ky detyrim?
Pagesa të prapambetura, sipas detyrimeve ligjore, pra diferencat e papaguara të prapambetura kanë lidhje vetëm me rillogaritjen e pensioneve sipas dispozitave ligjore në fuqi, me zbatimin e një vendimi unifikues dhe heqjes së “kufizimeve juridike” si për skemën e llogaritjes se pensionit dhe për kufizimet kohore që kanë të bëjnë me parashkrimet. Le të marrim një shembull. Nëse nuk bëhen kërkesa dhe dorëzimi i dokumenteve për pension deri më 26 qershor 2010 pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, këta ushtarakë dhe policë rrezikojnë humbjen e një viti pension.
Trajtimi i problemit “si gjithë të tjerët” nuk jep shanse që ushtarakët të marrin atë që iu takon; diferencat ligjore të së drejtës ligjore të fituar, siç u tha më sipër. Kjo për arsyen e thjeshtë se shtesa më 1 korrikut 2010 është në atë përqindje rritje si të gjithë profesionet e tjera dhe në shumë absolute, shkruhet në gazeta të ndryshme është rreth 9 mijë lekë të vjetër.
Vazhdimi i një praktike që çdo 2 vjet është miratuar një ligj, ka krijuar vazhdimisht një pasiguri juridike te ushtarakët. Për këtë është prononcuar shumë mirë Gjykata Kushtetuese me vendimin e vitit 2007, por që për fat të keq nuk është zbatuar.

Zoti Cako, qeveria thotë se po merren pensionet e ushtarakëve, por ju keni shkruar se shteti "po u grabit djersën ushtarakëve", pasi ata nuk paguhen sipas ligjit. Sa e deformuar është realisht skema e pensioneve për ish-ushtaraket apo për pensionet e parakohshme?
Aktualisht ushtarakët marrin një pension, por jo atë që u takon sipas dispozitave ligjore. Për ta konkretizuar, ka pasur shumë propagandë apo deklarime të pasakta dhe në emisione televizive të punonjësve të ndryshëm të sigurimeve shoqërore se ushtarakët paguhen me “pensione mbi 300 mijë lekë të vjetër” e të tjera. E vërteta është se ushtaraku në pension merr pension dhe kjo daton 1 janar 1999. Përfitimi ose pensioni i parë fillon i barazuar në shkallë vendi, pa asnjë diferencim, me minimalet përkatëse; 8000 lekë për ata në pension të parakohshëm dhe 3500 deri 4000 lekë për ata në pension të plotë pleqërie. Sot, mbi këtë bazë llogaritjeje, ushtaraku, me indeksimet përkatëse dhe shtesat simbolike vjetore nuk merr më shumë se 12 000 deri 16 000 lekë. Deri tani nuk ka asnjë llogaritje pensioni nga organet e sigurimeve shoqërore në përputhje të plotë me pagën referuese, shtesat për gradën ushtarake që për shumë ushtarakë mungon, koeficientet e korrektimit, indeksimet dhe kontributet e detyruar të sigurimeve shoqërore, të derdhura nga çdo ushtarak dhe vjetërsisë së shërbimit ushtarak. Si mundet një nënoficer të arrijë të marrë deri në 25 000 lekë pension në muaj, i pakrahasueshëm me asnjë pagë dhe kontribut të derdhur te çdo oficeri i çdo rangu qoftë? Aq më tepër që sot trumbetohet me të madhe se pensioni i ri i një koloneli që ka shumë kualifikime, me rrogë dhe kontribute relativisht shumë të larta, por që i krahasuar me kapterin del i zhvlerësuar, pra me pension pothuajse i barabartë me atë të një nënoficeri. Që të jemi më të saktë, ata marrin vetëm një rritje me rreth 4000 lekë më shumë. Me këtë skemë nuk mendoj se do të korrigjohen gabimet në llogaritje, sepse përdorimi shpesh i termit të titullarëve apo specialistë të pensioneve, për barazi të pensioneve apo ç’kanë më shumë ushtarakët se profesionet e tjera, nuk janë argumente premtuese dhe që të “ngrohin” në të ardhmen. Ky profesion është simbol kombëtar, i papolitizuar, me plotë privacione të lirive të njeriut, jo vetëm individuale, por edhe familjare “I betuar për Flamur dhe për Atdhe”, me pozitë e status të veçantë kushtetues e ligjor. Ushtaraku në vendin tonë dhe kudo në botë ushtron një veprimtari dhe profesion të veçantë që në bazë edhe të mjaft studimeve shkencore, ka mjaft vështirësi dhe rrezikshmëri për jetën, pa folur këtu për sëmundje profesionale si kanceri, ulcera, sëmundje të sistemit nervor e mjaft të tjera.
Ata që flasin për barazi të kujtojnë “mensat e punëtorëve“ të sistemit të kaluar socialist se të gjithë mund të hanë një copë bukë dhe pjatë supë me një çmim simbolik. Ky është një mentalitet sa i vjetër dhe jo profesional, po aq edhe i papranueshëm në kushtet e shoqërisë së sotme kapitaliste në vendin tonë.

Intervista vijon në numrin pasardhës
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e së martës do të lexoni:

Kujtim Cako: “Reagimi ynë për ndryshimet e kuadrit ligjor për ushtarakët”

Drafti i ri ligjor për ushtarakët dhe pjesëmarrja e grupit të interesit

Reagimi i shoqatave të ushtarakëve për ndryshimet e kuadrit ligjor

Negociatat e AKUSH me Ministrinë e Financave për projektligjin

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

21 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›