E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia vlerëson kontributin jetik të kryeministrit Berisha në përzgjedhjen e projektit TAP

17-07-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha priti ambasadorin e Italisë, Massimo Gaiani

Kryeministri Berisha priti dje në takim ambasadorin e Italisë në Shqipëri, zotin Massimo Gaiani. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha falenderoi ambasadorin Gaiani për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar të Italisë mike ndaj Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe në të gjitha fushat, në veçanti përsa i përket anëtarësimit në BE dhe proceseve të lidhura me të. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e ambasadorit Gaiani në zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit të suksesshëm midis dy vendeve, duke cilësuar ambasadorin si një mik të vërtetë të shqiptarëve. Ambasadori Gaiani e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e çmuar që ai dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë atij dhe misionit të tij në Tiranë gjatë gjithë kësaj periudhe, e cila ka shënuar një zgjerim të jashtëzakonshëm dhe konsolidim të madh të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, por edhe bashkëpunimit të frytshëm e të suksesshëm në të gjitha fushat. Në këtë kontekst ambasadori Gaiani veçoi përzgjedhjen e projektit TAP si një ndër arritjet më të rëndësishme për Shqipërinë dhe mbarë rajonin gjatë kësaj periudhe, si dhe i shprehu Kryeministrit falënderimet më të përzemërta për kontributin e tij personal, absolutisht jetik, në përzgjedhjen e këtij projekti të një rëndësie shumë të madhe për vendet tona dhe Evropën.  Kryeministri Berisha falënderoi me mirënjohje ambasadorin Gaiani për ndihmesën e tij direkte dhe të qeverise Italiane në mbështetje të projektit TAP. Në takim u vlerësua dhe mbarëvajtja e procesit zgjedhor të 23 qershorit si procesi më i mirë i realizuar ndonjëherë në Shqipëri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›