E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Italianët dogjën Pezën,pasi dy banda i sulmuan me armë mes Tiranës”

Me ndryshimet që po pësonte politika britanike në Ballkan, u pa e arsyeshme se edhe Shërbimet Inteligjente duhej të ndryshonin mënyrën e operimit të tyre në këtë rajon. 

Auron Tare

Për anglezët tashmë nuk ishte e fshehtë se trupat gjermane do të përpiqeshin për të marrë Jugosllavinë në mënyrë që të ruanin krahët dhe prapashpinën e tyre në rastin e një sulmi në Lindje. Në këtë mënyrë Shërbimi Britanik u mundua t'i paraprinte një eventualiteti të tillë. Në dokumentin PRO HS5/217, Top Sekret, titulluar "Memorandumi i Riorganizimit të Aktivitetit të Sektorit D, Stamboll 1940", del qartë se Sektori D i Jugosllavisë u vendos nën komandën e zyrës së SOE në Stamboll. Tashmë operacioni i përgatitur nga zyra e Beogradit për infiltrimin e agjentëve shqiptarë do të organizohej në bashkëpunim të ngushtë me zyrën e Stambollit, e cila pas pushtimit gjerman të Jugosllavisë do të ishte edhe zyra kryesore e operacioneve në Shqipëri.
Po kështu në qershor të 1940 sektori D/SOE u bashkua me zyrën Sekrete Ushtarake MIR, duke i dhënë një fushë të lirë organizatës së SOE të sapoformuar edhe në aspektin e luftës jokonvencionale. Riorganizimi i Shërbimit Anglez duke i dhënë dorë të lirë SOE në çështjet ballkanike tregon qartë se, anglezët do të luftonin me të gjitha mënyrat ushtritë gjermane në Ballkan, duke përfshirë edhe ato jokonvencionale.
Me krijimi e zyrës së Stambollit aktiviteti i rrjetit të krijuar për Shqipërinë filloi të funksiononte rregullisht, por duke mos pasur mundësinë dhe afërsinë që i krijonte territori jugosllav, ky rrjet filloi një rekrutim për të siguruar edhe korrierët që do të përdoreshin për përcjelljen e informacionit. Tashmë zyrës së Stambollit ju shtua edhe një personazh, i cili e njihte Shqipërinë mjaft mirë, një personazh i cili gjithsesi do të ndikonte jo pak në disa prej dështimeve dhe sukseseve të rrjetit të Shqipërisë. Margaret Hazluck. Hazluck për të cilën do të flasim në shkrimet që do të vijojnë, do të fillonte të rekrutonte një sërë të rinjsh shqiptarë apo edhe nacionalistë të larguar me Zogun, të cilët të mbetur në territorin neutral të Turqisë mund të përdoreshin për qëllime spiunazhi.
Zyra e SOE në Stamboll
Por për çfarë ishte e interesuar zyra e SOE në Stamboll? Dokumentet e mëposhtme do të japin një përshkrim më të qartë të disa prej informacioneve që britanikët mblidhnin me ndihmën e rrjetit të sapoformuar të shqiptarëve të gjendur në Stamboll, apo atyre të rekrutuar në Shqipëri.
318/29/25. EH/13. Stamboll. 1. Shtator. 1941. Për S.O.E  Kajro (DPAb) Kopje për S.O.E. London. Nga D/H 29. Rekrutimi Shqiptar. E jotja 1. Alb/1/DH274/6 e Gushtit 16-te paragrafi 1. I kërkova A/H 78 të mblidhte në veçanti të nënvizuarën në seksionin (a) për çdo rekrutim të mundshëm.
A/H 78 thotë se Shqipëria kishte pasur një forcë ajrore të vetën, e përbërë nga 4 avionë që prej 1924 e deri më 1928 me pilotë shqiptarë dhe instruktorë gjermanë. Pasi të gjithë avionët ishin përplasur dhe rrezuar nuk u blenë më avionë të rinj. Dajçi ishte një prej këtyre pilotëve.
A/H 78 mendon se mundet që Dajçi të ketë mësuar për rekrutimin nëpërmjet Cungut (emrin e të cilit e keqshqiptova në memorandumin nr. 307/29/25) nga Andoni, por ai thotë se edhe nëse është kështu nuk ka problem, pasi si Andoni si Cungu janë shqiptarë të mirë dhe nuk do të keqpërdoronin këtë informacion në vende të rrezikshme. Ai thotë se Dajçi kishte shkuar vullnetarisht në "Konsullatën Britanike" muaj më parë, por i ishte thënë se instruksione për këtë rast duheshin pritur. Por deri më tani nuk kishte pasur përgjigje.
Pasi dërgova memon numër 263/29/25 u kujtova se "Taurus" nuk kaloi nëpërmjet Iskanderumit, por nuk është e pamundur që Dajçi të mos kishte qenë në një prej stacioneve si p.sh., në Adana kur treni kaloi. Sugjerimi i Juaj është më i mundshëm. D/H 29. Raport për Agjentin A/H 76. Zona e aktivitetit, Peza.
Rezultatet e para
Në mbasditen e nëndorit të 28, një demonstratë e madhe u zhvillua në Tiranë. U fillua nga të rinjtë, por në të njëjtën kohë dy banda të armatosura, supozuar se janë të organizatës së A/H 76 u futën në qytet dhe luftuan deri në mesnatë. Popullsia pret reprezalje, por deri më 30 nëndor kur informatori la Tiranën nuk kishte ndodhur asgjë.
Si hakmarrje për hyrjen e bandave në Tiranë, italianët dy tre ditë më pas sulmuan 7 fshatra në zonën e Pezës me aviacion dhe i dogjën ato. Ka raporte se një demonstrim i tillë u bë si në Korçë edhe në Vlorë, në të njëjtën kohë.
Më 15 nëndor, një bandë e A/H 76 sulmoi një grup italianësh në Qafë-Kërrabë midis Tiranës dhe Elbasanit. Dy oficerë italianë dhe 15 ushtarë u vranë, si dhe 7 anëtarë të bandës. Ndër këta të 7, dy ishin të rinj malazezë, që mendohej se kishin ardhur në Shqipëri me mision.
A/H 76 ka tashmë rreth 400 vetë të ndarë në banda të vogla. Ndër to janë edhe 6 oficerë shqiptarë nga lista e të pezulluarve, si dhe mendohet se janë edhe 2 oficerë jugosllavë. Ai vazhdon të jetë mjaft aktiv dhe italianët kanë filluar të jenë shumë të vendosur për ta kapur atë. A/H 78 mendon se A/H 76 po bëhet i pakujdesshëm, si dhe ka filluar të pijë.
Raporti i A/H 75 dhe i A/H 137.
Miku oficer i A/H 78-s në Tiranë ka marrë mesazh nga A/H 75 dhe A/H 137. A/H 75 raporton se delegatë nga bandat partizane kanë ardhur tek ai nga Jugosllavia, si dhe A/H 137 thotë se komunistë delegatë nga Greqia e kanë takuar atë. Komunistët kanë ofruar ndihmë të madhe por udhëheqësit shqiptarë e kanë refuzuar ta pranojnë atë. Ata po marrin një mbështetje të madhe në popull dhe ata mendojnë se meqenëse nuk ka simpati për komunistët në popull, ata do të humbin mbështetjen nëse e pranojnë këtë ndihmë për të bashkëpunuar me komunistët jugosllavë dhe ata grekë. A/H 75 ka pyetur miqtë e tij për këtë bashkëpunim, megjithëse ai vetë është kundër këtij bashkëpunimi. Raportohet se një prej delegatëve që takuan A/H 75 ishte oficer rus. A/H 75 pretendon se ka kontakte të mira me A/H 31 (agjent i shërbimit jugosllav).
Të përgjithshme. Në amnistinë e fundit të ofruar nga italianët për të gjithë atë që janë në male, një numër i konsiderueshëm burrash nga Dibra dhe Mati u dorëzuan. Por pas disa ditësh janë arrestuar.
Eshtë ndërtuar një aerodrom i ri në Dibër jo shumë larg qytetit. Përveç 4 garnizoneve kryesore të përmendura në memon time të 413/29/25 më 8 dhjetor, janë gjithashtu garnizone të mëdha në Durrës, Prizren dhe Dibër. Një numër i madh rekrutësh për ushtrinë janë kërkuar të paraqiten pranë autoriteteve. Dy burgje të mëdha janë ndërtuar në Tiranë. Njëri është afër burgut të vjetër, tjetri afër Drejtorisë së Policisë. D/H 29.
Siç shikohet qartë nga dokumentet e botuara për herë të parë, Shërbimi Britanik kujdesohej të mblidhte informacion me karakter ushtarak, por edhe social-ekonomik.
Ndërkohë ata kujdeseshin që agjentët e tyre potencialë si A/H 76 një personazh i rëndësishëm, që operonte në zonën e Pezës të mbahej në mbikëqyrje të plotë dhe informatore më pak të njohur të raportonin mbi çdo aktivitet të tij. Kjo mbikëqyrje paralele bëhej për një numër të rëndësishëm personazhesh ushtarakë apo politikë që kishin pranuar të bashkëpunonin në Shërbimet Britanike kundër italianëve.
Ndërkohë, qendra operacionale në Londër filloi të marrë masa paraprake për një përplasje eventuale në Ballkan jo vetëm me italianët, por edhe me gjermanët. Gjithsesi dobësimi i fuqive italiane në Shqipëri do t'i ndihmonte britanikët për të ruajtur kontrollin dhe influencën e tyre në Greqi. Për këtë arsye ata filluan përgatitjen për krijimin e grupeve të vogla diversive greke, të cilët do të stërviteshin në teknikat e fundit të sabotazhit, me qëllim dëmtimin e prapavijave italiane në Shqipëri. Ndër personazhet e inteligjencës britanike që u zgjodhën për të krijuar këto grupe diversioniste në Greqi, ishte edhe një prej atyre, të cilët emri dhe fama në fushën e arkeologjisë dhe historisë klasike do ndihej më vonë edhe në arkeologjinë dhe historinë shqiptare.
Roli i Nicholas Hammond
Nicholas Hammond ishte një prej studiuesve më të shquar të këtyre studimeve në Evropë, i cili u përzgjodh nga Shërbimi Britanik. Ashtu si mjaft studiues të tjerë britanikë të kësaj fushe, njohuritë e tij në veçanti për Greqinë dhe disa prej vendeve të tjera Ballkanike u përdorën me mjaft efikasitet nga Shërbimet Britanike të Inteligjencës. Informacioni i tij mbi Veriun e Greqisë, Shqipërinë Jugore dhe krahinat e Maqedonisë ishin mjaft të kërkuara nga zyrtarët e planifikimeve dhe operacioneve  ushtarake në Londër. Hammond, i cili kishte mbaruar studimet në Kembrixh në mënyrën më të shkëlqyer të mundshme u zgjodh anëtar i kolegjit "Clare" në moshën 22-vjeçare për merita të shquara në studimet klasike.
Fillimet e viteve 1930, Hammond  i kalonte duke udhëtuar në këmbë në malet Greqisë Veriore, e duke studiuar qendrat klasike të arkeologjisë greke të panjohura deri më atëherë. Njohuritë e tij mbi topografinë dhe historinë e këtyre vendeve sigurisht që ranë në sy të shërbimeve britanike, të cilat e afruan atë për shërbime të veçanta në këto zona. Hammond fliste rrjedhshëm greqishten moderne dhe antike, por ai gjithashtu dinte edhe shqip, gjë që lehtësonte mjaft udhëtimin e tij nëpër zonat më rurale të Shqipërisë së Jugut. Interesante është fakti se ai në Shqipëri ndoqi itineraret e një paraardhësi të tij S. Clarke, i cili mund të ishte dërguar për të mbledhur informacion ushtarak në këto zona shuma të thella të Ballkanit.
Kur SOE fillimisht e dërgoi atë në verë të 1940, për të organizuar grupet ilegale në Shqipërinë e Jugut autoritetet greke nuk e lejuan të hynte në Greqi, pasi grekët kishin frikë për një reagim të mundshëm të inteligjencës italiane. Ky veprim nënkupton se autoritetet greke ishin në dijeni të veprimtarisë së tij në favor të shërbimit britanik, megjithëse ai mbulohej nga veprimet e tija shkencore. Gjithsesi pasi Greqia u fut në luftë me Italinë, Hammond u lejua të krijonte edhe kurset e para të trajnimit në teknikat e sabotazhit në mars të 1941. Interesant është fakti se nxënësit e parë të këtij grupi ishin disa prej liderëve të ardhshëm të lëvizjeve komuniste greke, të cilët formuan edhe grupet e para të rezistencës në Greqi. Personat që stërviti profesori i ardhshëm i shkaktuan jo pak kokëçarje ushtrisë italiane në malet e Pindit. Disa prej rekrutëve të tij vinin nga Himara apo disa prej fshatrave minoritare të Jugut, të cilët më vonë u inkuadruan në formacionet anti apo pro komuniste.  Pas invazionit gjerman në prill të 1941, Hammond u evakuua në Kretë, ku disa prej kolegëve të tij të SOE po krijonin grupe rezistence në ishull. Hammond së bashku me majorin Barbrook, i cili ishte caktuar gjithashtu për të mbuluar operacionet e rrjetit shqiptar punuan së bashku për të përgatitur një rezistencë kundër një pushtimi eventual nga gjermanët dhe pasi hodhën në erë depot e municionit në Gjirin e Sudas, u largua me një motobarkë peshkimi për në Egjipt. Njohuritë e mira të Hammond në teknikat e sabotazhit u përdoren me sukses në shkollën e SOE në Haifa, ku përgatiteshin ekspertë të sabotazhit. Në këto kurse u përgatiten edhe agjentët e parë të rekrutuar në Stamboll nga Drejtoria e Zbulimit, Dega D e Ballkanit për Shqipërinë. Në këtë shkollë një prej kursantëve të Hammond ishte edhe Moshe Dayan, një prej liderëve të ardhshëm të Izraelit modern. Nicholas Hammond u parashutua në Thesali në shkurt të 1943 si një prej oficerëve të Shërbimeve Sekrete Britanike, por tashmë misioni i tij ishte i lidhur më shumë me rezistencën greke dhe jo më me Shqipërinë.
Pas luftës Hammond ishte drejtori i kolegjit "Clifton" në Bristol deri më 1962 kur u emërua përfundimisht profesor i historisë greke në këtë universitet. Hammond boti një numër shumë të madh studimesh për historinë dhe arkeologjinë e Greqisë, Maqedonisë dhe Epirit Antik. Ishte kryetar i Shkollës Britanike të Athinës dhe i Shoqërisë për Promovimin e Studimeve Helenike. Hamond për çudinë e shumëkujt vizitoi Shqipërinë si i ftuar i Akademisë Shqiptare më 1971, por deri më tani nuk ka ndonjë të dhënë konkrete nëse autoritetet shqiptare e dinin aktivitetin e tij në favor të Shërbimit Inteligjent Britanik.

aurontare@gmail.com
Çdo të diel nga Auron Tare do të lexoni "Shqipëria përmes arkivave britanike"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›