E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italianët interes për investime në Shqipëri

Këtë e thotë vetë kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, gjatë një takimi me sipërmarrës italianë të Rajonit të Venetos, të cilët shprehën interes për të investuar në vendin tonë. Sipas tyre në kushtet e një krize globale, hedhja e syve në tregje të reja është me interes.

"Shqipëria zë vendin e parë në shkëmbimet tregtare me Italinë", u shpreh Jaka, duke cilësuar në këtë mënyrë rëndësinë që zë ky vend në Shqipëri, teksa shtoi se emigrantët shqiptarë që prej vitesh janë zhvendosur në Itali, po kthehen në Shqipëri në krah të investitorëve të këtij vendi.

“Ekzistojnë resurse të mëdha natyrore për të investuar në vendin tonë në shumë sektorë si: energjetikë, transport, turizëm, burime nëntokësore dhe mbitokësore", iu drejtua Jaka investitorëve italianë, duke i ftuar ata të jenë konkretë në investimet e tyre në vendin tonë. Në këtë kuadër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është e gatshme të afrojë të gjithë infrastrukturën e duhur për t’ju mundësuar sipërmarrësve të këtij vendi të orientohen si duhet në tregun tonë.

"Dhoma është institucioni që i ka të gjitha kapacitetet e duhura për të qenë lobues dhe orientues për biznesin, qoftë kjo në terren, qoftë në nivel lokal apo qendror", u shpreh ai. Nga ana e tyre, sipërmarrësit italianë kërkuan të dinë me detaje se ku mund të investojnë në vendin tonë, duke bërë dhe prazantimin e asaj çfarë ata përfaqësojnë në vendin e tyre. Përfaqësues të bizneseve të dy vendeve shkëmbyen informacionet e duhura mes tyre, duke vendosur dhe marrëdhënie konkrete bashkëpunimi mes tyre. /Start/

                                                                                             2012-02-24 18:20
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›