Oliver Bierhof: Më të uritur se në vitin 1996
Sipas menaxherit të përfaqësueses gjermane, Oliver Bierhof, skuadra e Euro 2008 është më e uritur për lavdi se paraardhësit e tyre, që e fituan trofeun përpara 12 viteve në Angli. "Është disi e vështirë që të bësh krahasime mes dy skuadrave, megjithatë mendoj se kjo kombëtare mund të jetë më e uritur për ta fituar Evropianin sesa ishim ne", tha ai në një konferencë për shtyp pas fitores 2-0 që skuadra e Hoakim Lëv arriti me Poloninë. Bierhof, i cili shënoi golin e barazimit dhe atë të fitores (golden-gol) në finalen e vitit 1996, ku skuadra e drejtuar nga Berti Vogs mposhti Republikën Çeke, tha se fakti që kombëtarja u dha fund rezultateve negative në fazën finale të aktivitetit kontinental i ka qetësuar të gjithë. Fitorja e së dielës në Klagenfurt ishte e para në fazën finale, që prej triumfit në "Uembli" përballë çekëve. "Jemi të gjithë shumë të lumtur që i dhamë fund ‘agjërimit‘ 12-vjeçar, vazhdoi Bierhof. Edhe në vitin 1996 fituam 2-0 në takimin e parë në grup dhe shpresojmë që ky të jetë një ogur i mirë". Roli i Bierhof në skuadrën e drejtuar nga Lëv është që t‘i sigurojë Gjermanisë përgatitjet më të mira të mundshme për turneun. Ish-sulmuesi tashmë në moshën 40-vjeçare i ka të gjitha arsyet që të jetë i kënaqur me mënyrën sesi skuadra është paraqitur: me një formë të mirë dhe dukshëm më të fortë, gjermanët nuk e diskutuan fitoren përballë polakëve.