Italiani i “Don Kafe”: Më vodhën 400 mijë euro
VLORE - Pronari italian i “Don Kafe” në Vlorë, denoncoi dje vjedhjen e 400 mijë eurove. Sipas policisë, ai është paraqitur në orët e para të mëngjesit në komisariatin e Vlorës, duke deponuar rreth vjedhjes që ishte kryer në banesën ku ai jetonte me qira. Mësohet se viktimë e kësaj vjedhje me këtë shumë të konsiderueshme eurosh është Francesco Di Cossola. Policia pasi ka marrë denoncimin e tij ka shkuar në banesën ku ishte kryer vjedhja. Ata konstatuan se nuk kishte dëmtime as në dyer e as në dritare. Sipas policisë, italiani i cili jetonte në lagjen “28 Nëntori” është njëherazi edhe bashkëpronar në një fabrikë këpucësh. Mësohet se ai ka deklaruar se në një valixhe në dollapin e shtëpisë kishte pasur një sasi prej 750 mijë eurosh. Por mbrëmjen e së martës, kur ka shkuar në banesë dhe i ka numëruar, ai ka gjetur vetëm 350 mijë euro, ndërsa shuma prej 400 mijë eurosh nuk ishte. Ai ka akuzuar një tjetër shtetas italian, i cili pak ditë më parë kishte qenë në shtëpinë e tij. Por policia pasi e ka marrë në pyetje për disa orë e la të lirë personin e dyshuar, pasi nuk gjeti prova për t’i adresuar autorësinë e vjedhjes. Sipas policisë, denoncuesi tregoi se ato ishin paratë e një shtëpie trekatëshe, të cilën ai e kishte shitur. Për shkak të krizës ekonomike kishte preferuar t’i mbante paratë në shtëpi. Policia tha se ka nisur hetimet, por ka dyshime se kallëzimi për shkaqe ende të paqarta të jetë i rremë. q.b