E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi në Vlorë, deti mbulohet gjatë natës me naftë e vajra

 

VLORE - Një sasi e konsiderueshme nafte dhe mbetje vajrash, që janë hedhur në det gjatë natës së të martës kanë ndotur gjithë zonën e portit të Vlorës. Dje në orët e para të mëngjesit është vënë re se deti ishte i mbuluar nga mbetje lubrifikantësh, ndërsa prejardhja e kësaj situate ende mbetet e mistershme. Sipas punonjësve të portit, kjo sasi nafte që ka pushtuar gjithë zonën e gjirit mund të ketë ardhur nga Karaburuni ku një anije si dhe një traget po kryenin punimet për riparimin e tyre. Dyshohet se më pas, era e fortë dhe deti i trazuar ta ketë spostuar këtë sasi nafte të derdhur në det drejt brigjeve të Vlorës. Nuk është hera e parë që anije të ndryshme derdhin naftë pikërisht në afërsi të gjirit të Vlorës. Sipas specialistëve, karburantet që hidhen dëmtojnë gjallesat si dhe shkatojnë ndotje që nuk mund të pastrohet. Të dyja kalatat e portit të Vlorës dje reflektonin nga ngjyra të ndryshme të naftës dhe vajrave, të cilat në ujë ishin në sasi të konsiderueshme. Specialistët thonë se e gjithë kjo sasi do të shkojë në fund të detit, ku dhe pasojat pritet të jenë katastrofike për mjedisin. Kapitaneria dhe specialistë të tjerë të mjedisit kanë kontrolluar të gjitha anijet dhe tragetet që kanë qenë të ankoruar për përpunim në kalatat e portit. Por asnjë prej tyre nuk rezultoi të kishte pasur probleme apo avari gjatë natës nga ku më pas të jetë derdhur prej tyre karburanti. Sipas kapitanerisë po punohet për të zbardhur hedhjen e naftës dhe të vajrave në det e më pas ndëshkimin e tij sipas rregullave ndërkombëtare. Ata kanë marrë kampionë të mbetjeve, që ishin dje në det ku do të kryhen edhe ekspertizat përkatëse. Burime nga kapitaneria bënë të ditur se anija përgjegjëse për shkaktimin e këtij dëmi ekologjik do të gjobitet nga 3500 deri në 4000 euro.                            q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›