E Hënë, 2 Nëntor 2026

Olsi Leka, vëlla i kapos në Itali

10/03/2005  Arrestohet në Tiranë një i dyshuar në trafikun ndërkombëtar të drogës. Prokuroria e Krimeve të Rënda hetonte prej 1 muaji, Olsi Lekën. Informacioni mbërriti nga pala italiane. Efektivat e antidrogës prangosën 24-vjeçarin mesditën e djeshme. Shpallet në kërkim vëllai i të arrestuarit që banon në Itali, i cilësuar si "Kapoja" në trafikun e heroinës. Linja e narkotikut ishte Lindje-Shqipëri-Itali. Leka mohon akuzën, duke shfajësuar dhe vëllanë.

Arrestimi

Ora shënonte rreth 14.00 e së djeshmes, kur efektiva të shumtë të antidrogës mbërritën në afërsi të banesës së të dyshuarit te rruga "Vëllezërit Huta", prapa Ministrisë së Jashtme. Me një urdhërndalim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në duar, uniformat nuk prisnin tjetër nga eprorët, veçse Ok-in për të trokitur në derën e shtëpisë së Lekajve. Sipas informacioneve të marra nga agjentët që survejonin banesën prej disa ditësh, Olsi Leka gjendej në atë orë në shtëpi. Ndonëse, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia posedojnë një sasi të konsiderueshme shiritash me përgjime telefonike të trafikantit, ai ka bërë të habiturin kur pa në derë forcat blu. E megjithë rolin e të pafajshmit, ai nuk kundërshtoi efektivat e antidrogës që t'i vinin prangat në kyçe e ta merrnin me vete në ambientet e Drejtorisë së Qarkut të Tiranës. Duket se 24-vjeçari ka arritur të përpilojë në pak minuta një skemë të qartë të dëshmisë së tij, në mënyrë që të bëhej sa më i besueshëm. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, shprehen se Leka ka mohuar që në fjalët e para akuzën e policisë. "Nuk po kuptoj asgjë. Të jeni të sigurtë që është një keqkuptim dhe asgjë më tepër. Unë nuk kam të bëj me trafikun e drogës. Nëse bëni disa verifikime të thjeshta, do të mësoni se unë kam vite që nuk largohem nga Shqipëria, ndërsa ju më akuzoni për trafik ndërkombëtar. Dyshimet tuaja nuk kanë asnjë bazë reale dhe jam i bindur se ky problem do të sqarohet shpejt", ka nisur dëshminë e tij para oficerëve të policisë gjyqësore, Olsi Leka. I prangosuri ka shtuar se, me të vëllanë që jeton në Itali nuk ka tjetër veçse ato lidhje që i ofron gjaku. Sipas tij, as njëri e as tjetri nuk janë të përfshirë në trafikun e drogës. Por, pohimet e tij nuk janë marrë si të mirëqena nga grupi hetimor, i cili disponon dhe përgjimet telefonike të Lekës gjatë muajit të fundit. Mësohet se gjatë kësaj kohe, agjentët e antidrogës dhe ata të antikrimit të organizuar kanë survejuar gjithë aktivitetin e Olsi Lekës, duke pasuruar kështu dosjen hetimore. Organi i akuzës në bashkëpunim me policinë, kanë nisur hetimet për të zbardhur skemën e plotë të trafikut, ku mendohet të jenë përfshirë dhe persona të tjerë. Pos kësaj po punohet për të zbuluar dhe kohën e saktë të çeljes së kësaj linje trafiku.

Informacionet

Informacioni për ekzistencën e kësaj linje mësohet se ka mbërritur afro 1 muaj e gjysmë më parë nga prokuroria italiane. Të njëjtat burime nga Drejtoria e Qarkut, shprehen se të huajt kishin arritur të zbulonin se një shqiptar nga Tirana ishte kapoja i një linje të rëndësishme të rrjetit të heroinës që mbërrinte në brigjet e Apenineve nga Shqipëria. Nuk ishte e vështirë për ta që të zbulonin dhe identitetin e trafikantit, emri i të cilit nuk mund të publikohet për arsye hetimore. Por, surpriza e informacionit ishte fakti se, në tokën amë, ai mbështetej dhe nga vëllai i tij. Olsi Leka është sipas autoriteteve italiane një person mjaft i rrezikshëm në fushën e trafiqeve të lëndëve narkotike. Dihet me siguri që ai merrej me akomodimin e mallit që vinte më së shumti nga Turqia. Paskëtaj, duke ndjekur gjithnjë të njëjtën rrugë, ai kujdesej që heroina të nisej për në Itali nëpërmjet një mënyre të sigurt, ku nuk cënohej asnjëherë. Rruga që praktikohej përgjithësisht ishte ajo detare, por nuk dihet me siguri se cili nga portet shqiptare "firmoste" transportin e narkotikut drejt vendit fqinj. Në Itali ngarkesën e priste "kapoja" dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët e shpërndanin më pas në destinacione. Burimet pohojnë se është shpallur në kërkim prej një muaji vëllai i Olsi Lekës, i cili është rreth të 30-ave. Duke qenë se ai jeton ilegalisht atje, arrestimi vështirësohet tejet, pasi ai qarkullon me dokumente të falsifikuara. Në këtë linjë trafiku dyshohet të jenë përfshirë dhe një numër i konsiderueshëm shtetasish italianë, për të cilët kanë nisur ndërkaq hetimet intensive të policisë vendëse. Ditët në vijim dhe dëshmitë e mëvonshme të Olsi Lekës, pritet të zbardhin shumë të pathëna nga kjo dosje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›