Berisha:Korrupsioni vrau 4 policë
Me gjithë kritikën për disa dukuri, Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur punën e policisë ndaj krimit të organizuar dhe ka kërkuar që Shqipëria të shndërrohet në një nga vendet me treguesin më të ulët të krimeve krahasuar me shtetet e Bashkimit Evropian. Sipas numrit një të ekzekutivit, viti 2009 është një vit që shënon arritje qenësore në veprimtarinë e policisë, veçanërisht në luftën kundër trafiqeve të drogës dhe rënie të ndjeshme në krimet serioze, vrasjet.
“Objektivi i kësaj qeverie është Shqipëria në indeksin e kriminalitetit, jo nën mesatar siç është sot, por në nivelin e ulët të kriminalitetit, të vendeve anëtare të BE. Kjo detyrë bëhet edhe më imperative kur ne kërkojmë nga partnerët tanë heqjen e vizave”, - tha Berisha duke shtuar: “Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe unë kam bindjen se ju po dëshmoni çdo ditë se me profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj, me guximin dhe trimërinë tuaj, ju qëndroni dhe duhet të qëndroni në lartësinë e kësaj detyre”. Kryeministri vlerësoi edhe punën e Policisë së Shtetit në zbatimin e ligjit gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit, duke treguar profesionalizëm. Berisha shtoi se për të luftuar krimin e organizuar Policisë së Shtetit do t’i vijnë në ndihmë edhe përmirësime të tjera ligjore, përveç atyre të kryera gjatë vitit 2009.
Numri një i ekzekutivit përshëndeti luftën e bërë ndaj korrupsionit në radhët e policisë, ndërkohë që kërkoi që të luftohet edhe më ashpër ndaj tij. “Është korrupsioni ai që shërbeu për vrasjen barbare të 4 oficerëve të policisë në ngjarjen e Durrësit. Ishte inspektori i policisë ai që i jepte mbulesë terroristit Dritan Dajti, duke u bërë bashkëfajtor apo dhe më shumë kriminel sesa ai”, - vazhdoi ai. Berisha foli edhe për ligjin antimafia që hyri në fuqi para disa ditësh, Ai e quajti atë të shkëlqyer, që ka marrë aspektet më bashkëkohore të ligjeve të vendeve anëtarë të BE-së. “Beteja kundër krimit është para së gjithash beteja në rrafshin ekonomik. Unë jam i bindur se në zbatim korrekt të këtij ligji, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, ne do të mund të ngushtojmë gjithnjë e më shumë hapësirën për mafien dhe krimin ekonomik”, - u shpreh Berisha. Kryeministri shqiptar theksoi se është një mal i tërë falsifikimesh, përvetësimesh dhe ky krim i tëri apo 90% të rasteve është kryer nga pushtetarë të të gjitha niveleve. Sipas tij, asnjë vend nuk ka emergjencë më të madhe për garanci të plotë dhe të gjithanshme të investimeve të huaja.