E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm 3 javë në detyrë, plagoset shefi i krimeve

Vetëm 3 javë në detyrë, plagoset shefi i krimeve
 
Goditja pas një grindjeje të çastit, policia identifikon 32-vjeçarin Robert Gerica si autor të ngjarjes
 
 
FIER - Kishte vetëm tri javë që ishte emëruar në një pozicion drejtues në policinë e Lushnjës, por dje ka rënë pre e një grindjeje të çastit dhe për pak sa nuk ka humbur jetën. Shefi i Policisë Kriminale në Komisariatin e Lushnjës, Altin Hadëri, është qëlluar dje në mëngjes me një plumb pistolete, nga një person që, sipas policisë, është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Hadëri ka kaluar rrezikun për jetën dhe aktualisht ndodhet në spitalin rajonal të Fierit.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur dje në mëngjes rreth orës 08:45 në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, në lagjen “Apolonia” të qytetit të Fierit, ku banon Hadëri. Të dhënat e para të policisë bëjnë të ditur se Altin Hadëri është qëlluar me pistoletë pas një grindjeje të çastit me autorin, pak metra larg banesës së tij. Policia nuk ka dhënë detaje më të hollësishme lidhur me sherrin mes të dyve dhe faktin nëse autori dhe viktima kishin pasur njohje të mëparshme mes tyre apo jo.
Policia e Fierit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, por nuk ka mundur të ndalojë autorin, i cili është larguar me nxitim. Shefi i krimeve të qytetit të Lushnjës është dërguar me shpejtësi në spital, ku i është dhënë ndihma e parë dhe më pas është futur në sallën e operacionit. Mjekët kanë deklaruar se i plagosuri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e Fierit, e cila ka zgjatur gati tri orë. Të njëjtat burime konfirmuan se i plagosuri kishte marrë një plumb në bark, por që nuk kishte dëmtuar organet jetësore të tij. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, është bërë e ditur se jeta e Altin Hadërit është jashtë rrezikut.
Hetimet
Grupi hetimor, i cili ka mbërritur në vendngjarje, ka mundur të gjejë në cilësinë e provës materiale armën e krimit dhe dy gëzhoja. Policia e qytetit ka nisur veprimet procedurale të hetimit në vendin e ngjarjes dhe vetëm pas disa orësh ka njoftuar se kishte arritur të identifikonte autorin e krimit. Ai është 32-vjeçari Robert Genica, i cili është shpallur në kërkim nga policia e Fierit, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ka pasur ndonjë informacion për kapjen e tij.
Ende nuk janë plotësisht të qarta motivet e krimit, ndërsa policia edhe kësaj radhe ka përdorur frazën standarde, se gjithçka ndodhi për motive banale. Ndërkaq, mësohet se Altin Hadëri kishte vetëm tri javë që ishte vendosur në postin e shefit të krimeve të Lushnjës. Më parë ai kishte punuar si specialist në zyrën e antitrafiqeve të policisë së Fierit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›