Policia i bën qejfin vetes,
Në prezantimin e punës, kreu i Policisë së Shtetit “harron” vrasjen e deputetit Xhindi dhe “Masakrën e Durrësit”. Mungojnë shifrat e vjedhjeve dhe drogës së kapur, në vend të tyre statistikat e policisë italiane
Artan CENA
TIRANë - Puna e Policisë së Shtetit për vitin që lamë pas u prezantua dje në një tryezë, ku nuk mungonte as kryeministri i vendit, i cili foli me tone të ashpra kryesisht ndaj Policisë Rrugore, për numrin e madh të aksidenteve. Më herët, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që ndodhet në detyrë prej pak muajsh, prezantoi arritjet dhe sukseset e institucionit që drejton, me dy ose tri kritika të vogla, kryesisht në strategjinë e policisë në luftën kundër krimit të vjedhjes, që mbetet në shifra alarmante, por edhe në parandalimin e aksidenteve rrugore. Por pavarësisht sukseseve të policisë, që më shumë duken lajka ndaj vetes, mbeten ende një sërë problemesh të papasqyruara realisht në analizën njëvjeçare të Policisë së Shtetit. Dy ngjarjet e bujshme, vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi dhe vrasja e katër oficerëve të policisë në plazhin e Durrësit, po ashtu janë anashkaluar në analizën e djeshme, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë raportonte se zbulueshmëria e krimit të vrasjes është në masën 88 për qind. Gjatë prezantimit të punës së Policisë së Shtetit për vitin 2009, u vunë re një sërë mangësish, kryesisht në raportimin e shifrave, për arsye që vetë policia duhet t’i thotë.
Krimi ordiner
Mungesa e shifrave konkrete për sektorë të rëndësishëm të policisë, apo dhe për ngjarje që cënojnë direkt rendin dhe sigurinë në vend, ishin dy nga problemet që as nuk u përmendën fare në analizën e punës, pavarësisht gjendjes alarmante që raportohet përditë, kryesisht në shtimin e rasteve të vjedhjeve. Krimi ordiner, ose siç njihet ndryshe krimi i rrugës, ku futen vjedhjet me dhunë, grabitjet dhe vjedhjet e zakonshme, edhe pse janë në shifra alarmante, u anashkaluan tërësisht nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili përmendi vetëm disa shifra, por pa referenca se cilit prej llojit të krimit i përkasin. Sipas drejtorit të Përgjithshëm, rezulton se për vitin që lamë pas janë kryer veprimet procedurale për 3816 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 3412 prej tyre, ose 89 për qind. Këto shifra janë renditur në kapitullin e Departamentit për Sigurinë Publike, ku përveç tyre nuk ka asnjë sqarim, se çfarë ishin këto vepra penale që ka hetuar dhe zbuluar në një masë kaq të madhe Policia e Shtetit. Pa detajtuar asnjë shifër për situatën alarmante të krijuar kryesisht nga vjedhjet, Burgaj pranoi se ky krim përbën një shqetësim të veçantë për policinë. Sipas tij, vjedhjet e pronës janë problematike, por vetëm në zona të caktuara të vendit. Duke mos u ndalur fare në shifrat e vjedhjeve për vitin 2009, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se për vitin që kemi nisur, policia ka parashikuar të ndryshojë strategji në luftën kundër krimit të pronës, me qëllim rritjen e rezultateve në këtë drejtim.
Droga
Sasia e lëndëve narkotike të kapura nga shkatërrimi i 31 grupeve kriminale, të vënë në pranga gjatë vitit të shkuar, vazhdon të mbetet ende enigmë, edhe pse Departamenti i Hetimit të Krimeve publikoi disa shifra, të cilat nuk tregojnë situatën e përgjithshme në këtë drejtim. Duke reklamuar sukseset e policisë, drejtori i Përgjithshëm tha se në fushën e narkotikëve janë evidentuar 647 vepra penale, për të cilat janë arrestuar 426 persona. Sipas Burgajt, në kuadër të luftës kundër narkotikëve janë shkatërruar 31 grupe kriminale. E vetmja gjë që mungonte në këtë prezantim ishin shifrat dhe në vend të tyre, u prezantuan statistikat e policisë italiane, nga ku rezultonte se për vitin e shkuar, sasia e drogës së trafikuar ishte e vogël, madje droga të tilla si hashashi nuk kemi trafikuar as edhe një gram drejt vendit fqinj, Italisë, për vitin 2009. Mungesa e shifrave u vu re edhe në raportin për trafiqet, ku u fol vetëm në përgjithësi, pa detajime konkrete, për llojin apo edhe vendet pritëse të mallrave, sendeve, apo njerëzve që janë trafikuar nga Shqipëria.
Aksidentet
Në 2009, 64 viktima më shumë se një vit më parë
Aksidentet edhe gjatë vitit të kaluar kanë qenë të shumtë, aq sa brenda në një dite në të gjithë vendin kanë ndodhur më shumë se tragjedi në rrugë. Pa dyshim që numri i lartë i aksidenteve është reflektuar edhe në numrin e viktimave të shkaktuara, edhe pse policia deklaron se një nga shkaqet e aksidenteve të shumta të ndodhura në vitin 2009 është shtimi i numrit të makinave. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, rezulton se gjatë vitit që lamë pas kanë ndodhur gjithsej 1316 aksidente, nga këta 334 të vrarë dhe 1309 të plagosur. Sipas tij, numri i aksidenteve dhe pasojat e tyre janë të mëdha krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku kanë ndodhur 1096 aksidente me 270 të vrarë dhe 1142 të plagosur. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë argumentoi se faktorët e riskut për aksidentet automobilistike janë shtimi i numrit të mjeteve me 15 për qind më shumë, krahasuar me një vit më parë dhe numri i madh i makinave që kanë qarkulluar në Shqipëri, si pasojë e shtimit të turizmit. “Duke iu referuar të dhënave statistikore, rezulton se kemi një rritje të numrit të përgjithshëm të aksidenteve me 220 të tillë, po ashtu për këtë vit kemi rritje të numrit të aksidenteve me pasojë vdekjen për 64 persona”, - tha Burgaj. Sipas tij, “nisur nga të dhënat, dilet në përfundimin se strukturat e Policisë Rrugore nuk i kanë realizuar objektivat e parashikuara për këtë vit dhe kanë nevojë riorganizimi dhe monitorimi më të mirë të shërbimeve që ofrojnë. Ne presim që strukturat e Drejtorisë së Policisë Rrugore të paraqesin opsionet e tyre, për të rritur më tej nivelin e punës, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore”, - tha në fjalën e tij drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Berisha kritik ndaj policisë
“Korrupsioni në polici vrau katër oficerë”
Kryeministri Sali Berisha kërkon ulje të kriminalitetit dhe njëherësh luftë ndaj korrupsionit. Ai theksoi se lufta kundër krimit merr një rëndësi të veçantë, në një kohë që Shqipëria kërkon heqjen e vizave. “Objektivi i kësaj qeverie është Shqipëria me indekse të kriminalitetit të mesatares së ulët të vendeve të BE-së. Kjo detyrë bëhet imperative, kur ne kërkojmë heqjen e vizave. Kam bindjen se policia po dëshmon se ajo qëndron në lartësinë e kësaj detyre”, pohoi ai. I pranishëm në analizën vjetore të Policisë së Shtetit për 2009-ën, Berisha kërkoi luftë kundër korrupsionit, duke theksuar se korrupsioni çoi në vrasjen e 4 punonjësve të policisë në Durrës, për kapjen e Dritan Dajtit. “Korrupsioni vrau 4 oficerë. Ishte inspektori i policisë ai që i jepte mbulesë terroristit Dritan Dajti, duke u bërë më shumë kriminel sesa vetë Dajti”, - pohoi Berisha. Ai nënvizoi se falë policisë, më shumë zyrtarë janë vënë përpara ligjit. Kryeministri tha se ligji ndalon kambizmin në rrugë, por në fakt janë raportuar vrasje të kambistëve. “Dhe në këtë rast përgjegjësia bie mbi policinë”, pohoi ai. Sipas Berishës, nuk mund të tolerohet më situata në qarkullimin rrugor, ku çdo ditë raportohen aksidente të rënda. “Pas aksidenteve fshihet qëndrimi i papërshtatshëm i policisë ndaj ligjit. Ndaj kërkoj shqyrtim serioz, plan masash, sepse historia provon se numri i aksidenteve mund të ulet”, argumentoi ai. Kreu i qeverisë përgëzoi policinë për luftën në ruajtjen e rendit e sigurisë, si dhe vlerësoi punën e uniformave blu gjatë zgjedhjeve, duke pohuar se u përmbushën angazhimet.
Shifrat e vitit 2009
Vrasje
79 të ndodhura,
zbuluar 70, ose 88 për qind
7 vrasje nga pakujdesia
52 vrasje për motive të dobëta
1 vrasje me motiv hakmarrjen
6 vrasje për motive pronësie
16 vrasje të kryera në familje
1 vrasje me motiv gjakmarrjen
Lufta ndaj trafiqeve
400 vepra penale me 475 autorë
161 janë arrestuar në flagrancë e ndaluar
Realizuar 18 operacione policore.
Operacioni ndërkombëtar “Credit Car”
Janë goditur 23 grupe të ndryshme kriminale
Lufta ndaj drogës
647 vepra penale me 555 persona
426 janë arrestuar apo ndaluar
31 grupe kriminale të trafikut
26 operacione me teknikat speciale të hetimit
10 operacione ndërkombëtare
Lufta ndaj krimi financiar
Evidentuar 1646 vepra penale me 2049 autorë
299 të arrestuar dhe ndaluar
1750 të proceduar në gjendje të lirë
Vlera e aseteve të sekuestruara - 5 milionë euro
4 milion sekuestruar nga pastrimi i parave
1 milion sekuestruar nga mallrat kontrabandë
Goditur 24 grupe kriminale
Janë organizuar 38 operacione policore
Krijohet Sektori i Krimit Kompjuterik
Lufta kundër pastrimit të parave
38 operacione policore
2 operacione ndërkombëtare
“Jahti Blu” në bashkëpunim me Greqinë
“çeku fals” në bashkëpunim me Maqedoninë
Departamenti për Sigurinë Publike
Janë kryer veprimet procedurale për 3816 vepra penale
Janë zbuluar 3412, ose 89 për qind
Instituti i kriminalistikës
9650 ekspertime te kryera nga te cilat
1085 ekspertime balistike, traseologjike
1269 ekspertime grafike e dokumentesh
2550 vlerësim gjurmësh e krahasime me fotografi
3017 ekspertime daktiloskopike
1709 ekspertime kimike e biologjike
20 ekzaminimeve kompjuterike
Identifikuar 783 autore te veprave penale
Identifikuar 232 objekte arme zjarri
Arrestimet për ekstradime
Arrestuar me qëllim ekstradimi 100 persona
Ekstraduar drejt vendit tonë 90 persona
Shpallur në kërkim ndërkombëtar 185 persona
Aksidentet
1316 aksidente të ndodhura
334 të aksidentuar me vdekje dhe 1309 të plagosur.
Numri i aksidenteve, më i madh se në 2008