E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali,mblidhen negociatorët e KS-së për zgjerimin

Negociatorë të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë nisur diskutimet në kryeqytetin italian Romë për zgjerimin e këtij këshilli nga 15-të anëtarë që është aktualisht. Rreth 70-të vende nga të gjitha kontinentet janë ftuar për të marrë pjesë në bisedimet e drejtuara nga ministri i Jashtëm italian Franko Fratini. Ministra të Jashtëm të shumë qeverive vijnë nga vende si Spanja, Jordania, Libani, Pakistani, Kroacia, Tunizia, Libia dhe Argjentina, si dhe zëvendës ministra të Kinës, Rusisë, Algjerisë, Hungarisë, Ugandës, Bullgarisë, Koresë dhe Mozambikut. Shumica e këtyre vendeve janë dakort që Këshilli i Sigurimit, që reflekton balancën e fuqive ndërkombëtare që pas Luftës së Dytë Botërore, duhet të zgjerohet në mënyrë që të shfaqet realiteti i ditëve të sotme. Këshilli i Sigurimit, organi ekzekutiv i Kombeve të Bashkuara me aftësinë e vendosjes së sanksioneve dhe dislokimit të forcave paqeruajtëse, ka pesë anëtare të përhershme që kanë të drejtën e vetos dhe që janë SHBA-ja, Rusia, Britania e Madhe, Franca dhe Kina. Këshilli ka gjithashtu edhe 10-të vende të tjera anëtare të përkohshme me mandate dy vjecar. Këto vende nuk kanë të drejtën e vetos. Numri i vendeve anëtare të përkohshme u zgjerua nga gjashtë në 10-të në vitin 1965. Shumë diplomatë janë të mendimit se nga këto negociata nuk do të ketë ndonjë rezultat të shpejtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›