E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bleir-Obama,reflektojnë për aftësitë drejtuese

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Toni Bleir ka reflektuar mbi besimin dhe aftësitë drejtuese në lutjen e mëngjesit në Uashington, ku morën pjesë liderë politikë, përfshirë këtu edhe Presidentin amerikan Barak Obama. "Guxim dhe aftësi drejtuese nuk do të thotë që thjesht të marrësh vendime të vështira ose të bësh gjërat e duhura, sepse shumicën e herëve vetëm Zoti e di se cfarë është dhe nuk është e drejtë", u shpreh Bleir gjatë fjalës së tij. Mbështetja e Bleirit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për fillimin e luftës në Irak u kritikua gjerësisht në Britaninë e Madhe dhe jashtë. Qëkurse ka lënë zyrën në Dauning Strit, Toni Bleir është kthyer në të dërguarin e kuartetit SHBA, BE, OKB dhe Rusi në Lindjen e Mesme. Të dy liderët, si Bleir dhe Obama, folën për sfidat me të cilat do të përballen në Lindjen e Mesme. "Unë nuk jam naiv, nuk pres që mosmarrëveshjet të zhduken brenda natës. Besoj se po të flasim me njëri-tjetrin hapur dhe ndershmërisht dhe nëse lejojmë që mirësia e Zotit të mbushë hapësirat mes nesh, atëherë ndoshta boshllëqet do të riparohen", deklaroi Obama. Ndërkohë, Toni Bleir, i cili kishte marrëdhënie tepër të ngushta me ish-presidentin amerikan Xhorxh W. Bush, nuk ka hezituar t'i thurë lavde edhe Presidentit të ri Obama, i cili i ka kaluar javët e para në zyrë, duke folur për disa nga masat që do të marrë administrata e tij. "Ju jeni me fat, ashtu sic është kombi juaj, për guximin e madh që keni treguar", tha Bleir për Obamën. Teksa edhe Obama u tregua njësoj i ngrohtë, duke e cilësuar ish-kryeministrin britanik si një mik të mirë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›