E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë,refuzohen bisedimet për 6-pikëshin

Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë deklaruar se Prishtina është e gatshme që të bisedojë me Beogradin vetëm për çështje që dalin nga pakoja Ahtisari, të cilën është zotuar se do ta zbatojë. Pas takimit me shefin e UNMIK-ut Lamberto Zanier, Sejdiu e Thaci u shprehën se me Serbinë është mbyllur gjithçka me 17 shkurt 2008-të, kur Kosova ka shpallur pavarësinë. Zanier ndërkaq, pranoi se roli i UNMIK-ut është reduktuar dhe se tani vendimet i marrin institucionet e Kosovës. Zanier u takua të enjten me Sejdiun e Thaçin, me të cilët ka diskutuar paralajmërimet e ditëve të fundit për bisedime. Ai tha se tema e gjashtë pikave është diçka e tejkaluar, por axhenda është shumë e gjerë. Megjithatë Zanier tha se vendimet u takojnë institucioneve të Kosovës, ndaj të cilave sipas tij nuk do të ketë presion. "Është vendim i lirë i institucioneve të Kosovës se si pozicionohen ndaj dialogut me Beogradin. Unë nuk e shoh si proces negociator, por si marrëdhënie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mund të zhvillohet në mënyra të ndryshme. Nuk mendoj se ka ndonjë imponim për këtë", tha Zanier. Çështja e diskutimeve për gjashtë pikat e përfshira në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun është hapur ditët e fundit nga liderët në Beograd. Por, Prishtina ka reaguar duke thënë se ato pika janë të vdekura. Ndërkohë që Zanier pranoi rolin plotësisht të reduktuar të UNMIK-ut, por tha se mbetet në Kosovë sipas mandatit që ka, për raportim në Këshillin e Sigurimit dhe për këtë, u shpreh se do të vazhdojë edhe kontaktet e vizitat në Beograd.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›