Ivanaj, gripi i derrit: S'kemi raste, por po monitorojmë situatën
Ministria e Shëndetësisë konfirmon se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar me virusin e gripit të derrit. Shqipëria rrit vigjilencën në lidhje me vëzhgimin e virusit të gripit të derrit që shpërtheu në Meksikë. "Në vendin tonë nuk ka asnjë rast të tillë dhe nuk ka vend për panik, apo ndryshim të sjelljeve tona të përditshme",ka thënë në një prononcim për median zëvendës Ministri i Shëndetësisë Arben Ivanaj.
Ai shtoi se situata epidemiologjike po ndiqet në vazhdimësi me vëmendje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. "Jemi në kontakte të vazhdueshme me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me rrjetin e Rregullores Ndërkombëtare Sanitare, me institucionet të shëndetit publik europian, dhe rrjetin e monitorimit ndërkombëtar të gripit", ka thënë më tej zv/ministri i Shëndetësisë, duke theksuar se adaptimi i të dhënave është i përditshëm. Sipas rekomandimeve të OBSH-së, të gjitha institucionet e specializuara kanë rritur vëmendjen e vigjilencës në lidhje me vëzhgimin e gripit, bënë të ditur burimet e ministrisë së Shëndetësisë. Për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar një mbledhje e urgjente për masat parandaluese të gripit të derrave. Ndërkohë që ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik, bëjnë thirrje për rritjen e masave të higjienës për të parandaluar futjen e këtij gripi në vendin tonë. Edhe në vendet e BE priten të mbahen mbledhje të tjera urgjente për të parandaluar virusin.