E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanko: “UNMIK-u, asnjë marrëveshje me Beogradin pa pëlqimin e Qeverisë”



Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko ka bërë të ditur se nuk do të arrithet asnjë marrëveshje me Beogradin, pa pëlqimin dhe miratimin e qeverisë së Kosovës duke hedhur poshtë konstatimet se shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, po bën negociata me Beogradin pa dijeninë e Prishtinës zyrtare. Mandati i UNMIK-ut, sipas Ivankos nuk është të bëjë negociata por vëtëm të vendosë dialog mes palëve, mundësisht të drejtpërdrejtë për disa çështje si gjyqësia, policia dhe doganat. Ndërkohë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur se Prishtina nuk do të bisedojuë në asnjë rrethanë, në asnjë kohë dhe me asnjë kusht me Beogradin
Duke i komentuar takimet e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanieri me përfaqësuesit e Qeverisë serbe dhe ofertat që i ka bërë ai pas këtyre takimeve Thaçi ka shprehur vendosmërinë e tij duke këmbëngulur se do të respektohet vetëm Kushtetuta e Kosovës dhe jo “deklaratat ad hoc të kujdo qofshin”. I pyetur për premtimin e tij për njohjen e Kosovës nga 100 shtete të botës, pas shpalljes së pavarësisë, Thaçi ka shpjeguar se Kosovën e kanë njohur vendet më të fuqishme botërore. Ai ka thënë se kontakti me këto vende është i vazhdueshëm, ndërsa ka premtuar se do të ketë ecje vetëm përpara dhe se Kosova do të njihet jo vetëm nga 100 shtete, por nga e gjithë bota demokratike dhe do të jetë pjesë e organizatave kryesore botërore si OKB, BE, NATO, BB dhe FMN.

Qeveria do të merrë masa në veri të Kosovës pas incidentit

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka deklaruar se grupe të vogla njerëzish në veri të Kosovës po përpiqen që përmes incidenteve të paraqesin një gjendje të pasigurt në Kosovë. Pajaziti u shpreh se qeveria e Kosovës do të ndërmarrë hapa konkretë për stabilizimin e gjendjes në veri, por jo hapa të njëanshëm. “Ne nuk jemi të interesuar të bëjmë veprime të njëanëshme, po ashtu siç kemi vepruar në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare me UNMIK-un me KFOR-in dhe me organizma të tjerë”,- tha Pajaziti. Ndërkohë 3 shtetas serbë janë vënë në pranga nga policia e UNMIK-ut si autorë të incidentit.
Njëri nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës në veri, Marko Jakshiç, ka deklaruar se incidentet e fundit në Mitrovicë janë përpjekje e udhëheqjes shqiptare të Kosovës që përmes dhunës të vënë nën kontroll veriun e Kosovës. Qëndrimet politike pasojnë një incident me motive ndëretnike në veriun e Mitrovicës, kur pas një përleshje mes banorëve shqiptarë dhe atyre serbë, u lënduan katër persona, në mesin e të cilëve edhe një polic ndërkombëtar.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›