“Mirror”: Mlladiç në kufi me Maqedoninë, ruhet nga 200 roje
Gazeta britanike, “Mirror”, duke iu referuar një 43 vjeçari, shkruan se i kërkuari për krime lufte në ish-Jugosllavi, Ratko Mlladiç fshihet pranë kufirit me Maqedoninë nën kujdesin e 200 rojeve. 43 vjeçari që ka rrëfyer për informata pohon t’i ketë marrë nga një ish-truprojë e Mlladiqit, i cili pretendon shpërblimin prej pesë milionë dollarësh që ka ofruar Tribunali i Hagës për atë që do të ndihmojë në kapjen e kriminelit. Të njëjtën gjë ka pohuar edhe gazeta austriake, “Kronen Zeitung”, duke u bazuar në burime anonime. Sipas dy gazetave në fjalë Mlladiç është në gjendje të keqe shëndetësore dhe atë e ruajnë rreth 200 ushtarë në një bunker në kufi me Maqedoninë. Ndërkohë
ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovaç, u ka bërë thirrje gjeneralit Ratko Mlladiç dhe ish-shefit të serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiç të dorëzohen. “E kam bërë disa herë këtë thirrje dhe po e bëj sërish që ai të dorëzohet, po ashtu edhe Goran Haxhiç”, deklaroi Sutanovaç, në një intervistë të botuar nga e përditshmja “Blic”. Dorëzimi i Ratko Mlladiç është “në interesin e Serbisë dhe qytetarëve të saj”, por gjithashtu edhe në “interesin e Mlladiçit”,- shtoi ministri.
7 Gusht 2008