Këshilli i Sigurimit diskuton dhunën e 17 marsit në Mitrovicë
Blerina OLDASHI
Raporti hetimor mbi dhunën e 17 marsit në Mitrovicë, gjatë së cilës u vra një polic i OKB-së, është diskutuar dje në Këshillin e Sigurimit. Raporti kishte të bënte me ndërhyrjen e forcave të rendit në Gjykatën Komunale në veri të qytetit, ndërtesa e së cilës ishte okupuar nga protestuesit serbë dhe ai iu dorëzua hetuesve dhe anëtarëve KS-së të OKB-së javën e kaluar. Dallimet ndërmjet anëtarëve të vendeve perëndimore dhe të Rusisë, rreth aksionit të forcave paqeruajtëse, u thelluan edhe më shumë pas paraqitjes së tij. Hetues ndërkombëtarë paraqitën raportin mbi aksionin e forcave ndërkombëtare në veri të Kosovës, duke kritikuar udhëheqjen e UNMIK-ut për, siç thuhet, autorizim të dhunës së panevojshme gjatë ndërhyrjes në ndërtesën e Gjykatës. Por ata bënë me dije se veprimi i forcave ndërkombëtare ishte në kuadër të mandatit të tyre. Gjatë këtij incidenti u vra një polic ndërkombëtar nga Ukraina dhe dhjetra policë e qytetarë serbë u plagosën pas ndërhyrjes së forcave të policisë ndërkombëtare dhe banorëve serbë në veri të Mitrovicës. Autoritetet ndërkombëtare vendosën që të merrnin kontrollin në Gjykatën Komunale në veri, më 17 Mars, një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke larguar nga ndërtesa protestuesit serbë që mbajtën një grevë disa javëshe në Gjykatë. Protestuesit thanë se ishin punonjës të Gjykatës që u larguan nga puna pas hyrjes së forcave paqeruajtëse në Kosovë, në qershor të vitit 1999. Një numër grevistësh serbë u arrestuan kurse forcat policore dhe autoritetet e UNMIK-ut u larguan nga veriu pas aksionit, duke e vënë këtë pjesë të Kosovës nën kontroll të forcave të KFOR-it. Përfaqësuesi rus në në Këshillin e Sigurimit dhe zyrtarët serbë, bënë përgjegjës për veprimin e pamatur të policisë, dy drejtuesit e atëhershëm të UNMIK-ut, Joakim Ryker dhe Larri Rosin. Ky i fundit u akuzua se ka shfrytëzuar momentin për të përdorur dhunë të panevojshme mbi grevistët serbë duke mos respektuar instruksionet e Nju Jorkut.
Por përfaqësuesit e vendeve perëndimore në KS-së janë shprehur se forcat paqeruajtëse dhe policia ndërkombëtare kanë vepruar në kuadër të mandatit të tyre. Veriu i Kosovës u shndërrua në skenë të dhunës pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të këtij viti.
Serbët e Kosovës e kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës duke e cilësuar atë si të paligjshme dhe vetëm dy ditë pas shpalljes dogjën dy poste kufitare në veri.
7 Gusht 2008