E Shtunë, 31 Tetor 2026

“The New York Times”: “Anët pozitive dhe negative të Ahmet Zogut”



Në një kohë kur bota po reflekton mbi progresin e demokracisë, përhapjen e komunizmit dhe siç u duk pas luftës, rënien e familjeve mbretërore, në Shqipëri monarkia u vetëdeklarua e tillë dhe presidenti Ahmet Zogu është kurorëzuar mbreti më i ri në botë. Ndryshimi u realizua pa shprehur ndonjë keqardhje në lidhje me parimet e demokracisë perëndimore. Nga ana tjetër, gjatë katër viteve të fundit të provave të suksesshme, u vu re se këto parime ishin shumë të përshtatshme dhe të vlefshme. Shqipëria dëshiron që ato të jenë përfundimtare dhe të zgjasin sa më shumë të jetë e mundur nën një monarki kushtetuese, me djalin e tyre të preferuar, Ahmet Zogun, si mbret të popullit. Sipas mendimit të cinikëve dhe të atyre që ishin kritikë për vendin, mbretëria e re e sapokrijuar e Shqipërisë jepte shenja përkeqësimi dhe në sytë e tyre mbreti i ri nuk ishte veçse një kukull dhe një protagonist i operave komike. Ai paraqitej gjithashtu si një person që shpenzonte pa masë, një uzurpator i pushtetit dhe një imoral, i cili jeton në luksin e Lindjes.
Megjithatë, ata të cilët kanë ndjekur zhvillimet e fundit në Shqipëri i njohin karakterin dhe arritjet e Ahmet Zogut. Zogu, zotësia e të cilit ka impresionuar imagjinatën e çdo djali dhe vajze në shkollat e Shqipërisë, është një patriot që tashmë jeton me këngën dhe legjendën, për popullin e tij, ai është një David, një shpëtimtar, i cili ka ardhur për të mbrojtur vendin e tij nga rreziqet që mund ta kanosin atë.
Heroi i popullit
Në kohën kur rreziqet kërcënonin vendin, Ahmet Zogu e ka treguar veten si Napoleoni, njeriu prej të cilit varej fati i Shqipërisë. Detyra e tij ka qenë të shpëtonte Shqipërinë në një situatë mjaft të vështirë në të cilën ajo ndodhej. Në fakt, ai ka rrezikuar jetën e tij për Shqipërinë më shumë se një herë dhe është shfaqur si heroi i shumë njerëzve, një patriot i vërtetë. Për shembull, në Kongresin e Lushnjës ai u mbulua me dafina. Delegatët, të cilët sapo ishin zgjedhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, u mblodhën në Lushnjë në vitin 1920 për të hartuar një kushtetutë. Me sa mbahet mend, delegatët ishin tmerrësisht të frikësuar se mund t’u kanosej jeta e tyre, nëse ata vazhdonin në kryenin detyrën, pa pasur një mbrojtje të mjaftueshme. Ahmet Zogu ndodhej atje si delegat, por ai kishte marrë me vete luftëtarët e tij besnikë. Menjëherë ai mori përsipër të ruante edhe personin e fundit në sallën e Kongresit. Që nga ajo ditë Shqipëria u bë një vend i pavarur deri në vitin 1925.
Në këtë mënyrë, Ahmet Zogu u shfaq si një figurë me përmasa kombëtare. Mënyra e veprimit të tij, fakti që ishte i ri dhe personaliteti magnetik që reflektonte, bënë që ai të fitonte admirimin e gjithë vendit. Cilësitë e tij agresive, të cilat tashmë janë më të pushtetshme, do ta ndihmojnë atë jo vetëm për t’u bërë një nga drejtuesit frymëzues dhe të besueshëm, por gjithashtu, si një supertregtar të Uall Street-it.
Një ngjarje tjetër e cila ndikoi në shtimin e popullaritetit të Zogut ndodhi në vitin 1923, kur shpërtheu një kryengritje në Tiranë. Turma të armatosura, të nxitura nga kundërshtarët, u tensionuan dhe u irrituan akoma më shumë duke kërcënuar se do të zaptonin ndërtesën e Parlamentit. Xhandarmëria e kishte të pamundur që të përballonte situatën. Zogu, i cili e kuptoi menjëherë rrezikun që iu kanosej, nuk humbi kohë. Ai mori shpatën, doli nga ndërtesa, hipi në kalin e tij dhe rrethoi turmën e çrregullt bashkë me rojet e tij. Ndërsa Zogu përpiqej të vendoste rregullin, mes breshërisë së plumbave vdekjeprurës, të tjerët zmbrapseshin dhe zgurdullonin sytë mbrapa gardhit të ushtarëve të tij. Ai frymëzonte besim dhe besnikëri tek ushtria dhe përkrahësit e tij.
Qetësia gjatë trazirave
Përveç kurajës së tij të jashtëzakonshme dhe trimërisë përballë rreziqeve, Zogu karakterizohej për praninë dhe qetësinë që ruante gjatë momenteve të krizave. Kur një student ishte çmendur, ai u përpoq ta vriste Zogun përpara se ai të hynte në ndërtesën e Parlamentit, ku ishte përfshirë në një konfuzion e gjithë Asambleja. Duke qenë një njeri me shpirt të madh, Zogu shmangu një konflikt të përgjakshëm mes grupeve rivale. Ai fashoi menjëherë krahun e tij të plagosur dhe u ngjit në platformë, kërkoi që të mbahej qetësi dhe filloi të fliste për çështjet e shtetit, duke mos marrë parasysh atë që kishte ndodhur. Edhe armiku më i hidhur politik nuk do të kishte qëndruar indiferent, por do t’u ishte bashkuar duartrokitjeve entuziazmuese.
Edhe pse Zogu dallohet si një drejtues fisesh, i veshur me një finese kulturore dhe arsimore, ai ka fituar njohuri të mjaftueshme akademike në Vjenë dhe në Shqipëri, të cilat janë të barasvlershme me një diplomë kolegji. Por ai ka më tepër njohuri mbi psikologjinë praktike sesa Princ Vidi apo se Fan Noli, dy prej paraardhësve të tij. Ai njeh mjaft mirë kënaqësitë dhe pakënaqësitë e popullit të tij. Nga ana tjetër, ata e njohin shumë mirë atë dhe kanë besim të plotë në gjithçka që ai merr përsipër të realizojë.
Tashmë shqiptarët kanë bërë një zbulim. Ata kanë përjetuar zhgënjimin për shkak të drejtuesve mediokër, qeverive jo të qëndrueshme dhe gënjeshtrave për interesa meskine. Pas 500 vjetësh sundimi nga Turqia më në fund Shqipëria fitoi pavarësinë në vitin 1912 dhe dy vjet më vonë, në vitin 1914, siguroi një mbret, Uilliam Vidin, prej të cilit ata mbetën tejet të zhgënjyer.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 14 shtator 1925
Titulli është redaksional

Në numrin e ardhshëm do të lexoni

Zhgënjimi i madh i shqiptarëve nga princërit dhe kryeministrat

Historia që nga koha e Princ Vidit deri në vitin 1925, kur ndryshoi sistemi i qeverisjes së vendit

Cilat ishin të metat që treguan gjatë drejtimit të vendit Princi gjerman, Fan Noli dhe shumë udhëheqës të tjerë

Reagimi i Faik Konicës në situatën e re që u krijua pas shpalljes mbret të Ahmet Zogut dhe raportet e tij me të

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›