Bashkia rikonstrukton shkollën “Skënder Caci” në kryeqytet
Bashkia e Tiranës përfundoi punimet për rikonstruksionin e shkollsë “Skënder Caci” në kryeqytet. Shkolla, këtë vit të ri shkollor do të jetë tërësisht e rikonstruktuar. Rikonstruksioni i godinës së shkollës u realizua me fondet e kredisë së CEB-it në vlerën 867 737 euro. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ishte i pranishëm gjatë përfundimit të punimeve, të cilat e kanë shndërruar shkollën në një ndërtesë krejtësisht të re dhe të dobishme për nxënësit e saj. Territori në të cilin është rindërtuar nga themelet shkolla 9-vjeçare “Skënder Çaçi” shtrihet në Rrugën e Dibrës, në Njësinë Bashkiake Nr. 8. Kjo godinë me 3 kate mbi tokë ka një sipërfaqe ndërtimi prej 1045 metra katrorë dhe sipërfaqe trualli 3 150 metra katrorë. Njëkohësisht është bërë sigurimi i të gjitha objekteve të reja mësimore. Po kështu, është përfunduar pajisja dhe mobilimi i të gjitha mjediseve te brendshme sipas standardeve bashkëkohore si bibliotekë, laboratorë kabinete, klasa me banka dhe tryeza, katedra, dërrasë të zezë etj. Qëllimi kryesor mbetet krijimi i kushteve cilësore në veprimtarinë shkollore duke plotësuar e respektuar standarde si reduktimi i fëmijëve në klasa në masën 30 – 32 nxënës për klasë, e cila do të sjellë një ndihmë në asimilimin e programit mësimor planifikuar për ta. Nga ana tjetër është shtuar edhe numri i mjediseve laboratorike e kabineteve (kimi, fizikë, kabinet të gjuhëve të huaja), me qëllim kthimin e studimit me një turn, krijimin e mjediseve sportive në terrene të jashtme dhe të brendshme, brenda të gjitha kushteve të nevojshme, instalimin e sistemit qendror të ngrohjes e sigurimi i ujit të pijshëm për 24 orë.
7 Gusht 2008