Ivankoviç nxjerr ‘blof’ FSHF, refuzon Shqipërinë
Jetmir Halilaj
Branko Ivankoviç ka refuzuar të drejtojë Kombëtaren shqiptare.Trajneri kroat i ka kthyer përgjigje dje drejtuesve të FSHF-së, duke iu bërë me dije se nuk është gati të marrë përsipër detyrën e trajnerit të përfaqësueses tonë. Burime pranë institucionit të futbollit, bëjnë të ditur, se tekniku ka ndërruar mendje gjatë orëve të fundit, pasi i ka ardhur një ofertë e majme financiare nga klubi arab i Al Vasl Sport klub.
Ankesa
Në një deklaratë të dhënë dje për mediat shqiptare, tekniku Ivankoviç ka pohuar se ishte në bisedime me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, por ka lënë të kuptohet se ata ishin të paqartë për sa i përket ofertës financiare që do të bënin. “Po, kemi zhvilluar disa bisedime me drejtuesit e FSHF-së dhe mund të them se ata ishin të gatshëm që unë të drejtojë skuadrën e tyre përfaqësuese. I lamë njëri-tjetrit disa ditë afat, pasi më parë ata duhet të përcaktonin se sa do të ishte oferta financiare, gjë që deri më sot (dje) nuk ma kanë bërë të ditur”, ka thënë Ivankoviç për televizionin “Alsat”. Trajneri më pas është treguar ironik me drejtuesit e Federatës së Maqedonisë, për të cilët ka thënë se ishin shumë të pavendosur. “Në media u hap lajmi se unë kisha firmosur për Maqedoninë, por në fakt unë vetëm sa kam zhvilluar disa bisedime normale me ta – është shprehur Ivankoviç – Unë isha i interesuar për këtë detyrë, ashtu sikurse isha i interesuar edhe për të drejtuar kombëtaren shqiptare, por drejtuesit e Federatës maqedonase duhet të vendosin dhe duhet të jenë më të qartë, nëse kërkojnë një trajner provizor, apo duan një trajner që të qëndrojë aty për një kohë të gjatë. Kjo është shumë e rëndësishme”.
Paratë
Motivi zyrtar që Ivankoviç nuk pranoi të drejtonte Shqipërinë, ka qenë se ai dëshiron të punojë si trajner i një klubi dhe jo si trajner i një skuadre kombëtare. “Më tërheq më shumë puna me një klub, se sa trajneri i një skuadre përfaqësuese”, mësohet të ketë thënë tekniku kroat. Megjithatë, kjo deklaratë është vetëm një gjest prej xhentëlmeni i Ivankoviçit, pasi arsyeja e vërtetë janë paratë. FSHF ishte e gatshme që t’i vinte në dispozicion trajnerit një shumë prej 300 mijë euro për dy vjet e gjysmë dhe për një moment ka arritur ta joshë teknikun, por ndërhyrja e klubit arab ka hedhur në erë gjithçka.