E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët përleshen me EULEX, BE kërkon paqe në Mitrovicë

 

Serbët në veri të Kosovës janë përleshur dje me policinë e misionit evropian, EULEX, duke kundërshtuar me forcë rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të kthyer në trojet e tyre që prej largimit gjatë kohës luftës së viteve ‘98-‘99. Përleshjet me policët e EULEX ndodhën gjatë mëngjesit të djeshëm, pas ndërhyrjes së policisë kur rreth 100 të rinj serbë tentuar të kalonin kordonin e verdhë të sigurisë të vendosur nga policia në zonën e rindërtimit të shtëpive shqiptare. Policia e EULEX-it është detyruar sërish të hedhë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e zemëruar. Si rezultat i përleshjeve është plagosur një serb. Tashmë serbët kanë prej së hënës së kaluar, duke mbushur plot nëntë ditë që protestojnë kundër ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në zonën e banuar me shumicë serbe brenda territorit të Kosovës, pranë kufirit me Serbinë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kroi i Vitakut”, ku shqiptarët e larguar prej luftës po tentojnë të rikthehen në shtëpitë e tyre të shkatërruara. Serbët kanë sulmuar edhe mjetet lëvizëse të EULEX-it, duke nxitur reagimin e fortë të bashkimit Evropian. “Personat që kanë sulmuar me granata dore paqeruajtësit ndërkombëtarë duhet të dalin sa më shpejt përpara drejtësisë”, thuhet në një deklaratë të BE-së. Nga përleshjet e fundit me serbët u plagos edhe një paqeruajtës francez. “BE do të ndalojë këdo që cenon jetën e personelit të NATO-s, apo BE-së”, theksohet në reagim.
Thirrja e Thaçit
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë thirrje zyrtarëve në Beograd, që të ndihmojnë e të lehtësojnë procesin e kthimit të personave të zhvendosur nga Kosova dhe të mos manipulojnë me këtë proces. “Kthimi është një drejtë e të gjithë qytetarëve. U bëj thirrje qytetarëve serbë të Kosovës, që janë zhvendosur në Serbi, që të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha ai. Sipas Thaçit në Kosovë janë krijuar të gjitha kushtet për ndërtimin e një shoqërie shumëkombëshe. Ai shtoi se tashmë në vend është ndërtuar një klimë e sigurt dhe qeveria e Kosovës do të vazhdojë të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga paketa “Ahtisari” dhe përgjegjësitë e saj. Procesi i kthimit të personave të zhvendosur pas përfundimit të luftës në Kosovë është vlerësuar si shumë i vështirë. Vitin e fundit në Kosovë janë kthyer mbi 180 familje serbe. Por çështja e të zhvendosurve u rindez pas përpjekjeve të ndërkombëtarëve dhe autoriteteve të Kosovës për të rindërtuar shtëpitë e familjeve shqiptare në lagjen “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›