E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: “Prokuroria, me dy standarde për rastin e Ruzhdies”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka akuzuar Prokurorinë se po vepron me dy standarde lidhur me kallëzimet penale të bëra ditën e votimit nga organi i drejtuar prej tij në adresë të komisionarëve, që, në mënyrë flagrante me Kodin Zgjedhor, bllokuan procesin elektoral duke marrë me vete vulën e qendrës së votimit. Ky qëndrim i zotit Ristani erdhi gjatë prezantimit të raportit vjetor të KQZ-së në Komisionin e Ligjeve, ku ai deklaroi se zgjedhjet e 28 Qershorit, pavarësisht vonesave në procesin e numërimit, garantuan një proces të lirë dhe transparent.
“Duhet një veprim më i fortë dhe i shpejtë i Prokurorisë, pasi ai është i pabarabartë dhe me dy standarde, siç është rasti i Prokurorisë së Fierit, e cila për kallëzimin tonë penal nuk është shprehur, ndërsa e ka trajtuar ndryshe kallëzimin e komisionerëve të PS-së. Ka pasur vonesa në numërim dhe parregullsi të tjera, por ju garantoj 100% se në tërësinë e tij procesi ishte transparent”, – është shprehur Ristani.
Akuzat
Për kreun e KQZ-së rasti më flagrant i bllokimit të qendrave të votimit, ishte ai i marrjes së vulës nga ana e komisionerëve të Partisë Socialiste. Duke dënuar fenomenin, Ristani kërkoi nga Parlamenti që ashpërsia e ligjit ti përgjigjet fenomenit negativ të ripërsëritur në kohë.
“Fenomeni i largimit me vulë është bërë vetëm nga komisionerët e PS-së. Ashpërsia e dënimit si përgjigjet fenomenit që ka ndodhur. Të amendohen ndryshimet dhe të gjenden masa të tjera ligjore që të mos ndodhë më”, - u spreh Ristani. Megjithatë, kreu i KQZ-së tha se nga ana e 40 mijë komisionerëve nuk është shënuar asnjë parregullsi në materialet zgjedhore. “Për aq kohë sa nuk ka gjurmë në sistem, do të thotë që ska pasur shkelje nga komisionerët dhe kur syri i tyre ska parë gjë dhe veshi su ka dëgjuar gjë e ska gjurmë në materialet zgjedhore, më duhet të them se është thjesht një thashethem i madh”. “Nisur nga debati politik me iniciativën e KQZ-së, menduam të mos e realizojmë procesin e djegies së fletëve të votimit për të mos i hedhur benzinë zjarrit”. E ndërsa kreu i KQZ-së kërkoi që të bëheshin një sërë ndryshimesh në Kodin Elektoral, me qëllim ashpërsimin e ligjit ndaj fenomeneve negative që synojnë bllokimin e procesit elektoral, demokratët u shprehën se pas këtij raporti, pikë e dytë duhet të ishin pikërisht këto amendime në kod, në një kohë sikundër thanë ata, që vetëm një vit na ndan nga zgjedhjet vendore

Raporti
Arben Ristani, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) prezantoi dje, në Komisionin parlamentar të Ligjeve raportin vjetor mbi veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2009 që lidhet me përgatitjen, administrimin dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit. Ristani, në raportim, pranon se problem në zgjedhjet e 2009 ka qenë procesi i numërimit të zgjedhjeve, konkretisht trajnimi i mangët i komisionerëve si dhe marrja e vulës nga qendrat e komisioneve zonale. "Subjektet politike shpesh nuk i kanë sjellë në kohë komisionerët dhe i kanë ndryshuar deri ditën e votimit. Kjo ka penguar punën tonë",- tha Ristani. "Ditën e votimit, ka pasur vetëm një problem me tamponët e bojës së thatë, por kjo nuk ka penguar procesin",- shtoi Ristani. Sipas tij, "pati vonesa në procesin e numërimit të votimeve për shkak të komisionerëve të patrajnuar mirë, por gjithsesi kjo nuk ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve të 28 Qershorit".

Tahiri: “KQZ fshehu krimin elektoral”

Pas raportit të dorëzuar në komision nga kreu i KQZ ka ardhur edhe reagimi i socialistëve. Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, ka akuzuar drejtuesit e këtij institucioni për fshehje të krimit elektoral. Sipas Tahirit, deputetët e mazhorancës dhe “partizanët e KQZ, në vend që të nxirrnin përgjegjësitë për dështimin e procesit zgjedhor, lëvduan veten duke fshehur kokën si struci për manipulimin e evidentuar më së miri tashmë”. Ai theksoi se 9 muaj pas manipulimit të zgjedhjeve, mazhoranca nuk ka miratuar asnjë nismë për të mundësuar transparencën në vend. Tahiri theksoi se mazhoranca “duket se aborton që në nisje çdo alternativë për të zgjidhur krizën e shumëfishtë në vend, e bashkë me të edhe shanset për zgjedhje të lira e të ndershme në të ardhmen”.

Hidhet shorti për komisionerët e Ruzhdies

Dje është hedhur shorti për zgjedhjen e gjyqtarit që do të drejtojë procesin gjyqësor për hetimin e zgjedhjeve në komunën Ruzhdie. Në bazë të shortit, gjyqtari i përzgjedhur është Roland Jaupaj. Ky gjyqtar pritet të drejtojë seancat për procesin me rëndësi për zgjedhjet. Prokuroria e Fierit ka dorëzuar në gjykatë para disa ditësh dosjen me manipulimin e zgjedhjeve të shkuara në komunën Ruzhdie të rrethit të Fierit. Dosja me 600 faqe është depozituar tashmë në Gjykatën e Fierit, ku pritet të nisë shqyrtimin nga ana e trupit gjykues. Për këtë dosje, 9 persona janë në hetim, pesë prej të cilëve komisionerë dhe katër të tjerë votues. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare si dhe për shkelje të Kodit Zgjedhor.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›