E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanov telefonon Sejdiun: Do marr pjesë në takim

SHKUP- Presidenti i Maqedonisë, Georgi Ivanov do të marrë pjesë në takimin e presidentëve të rajonit që do të zhvillohet në fillim të janarit në Prizren, nën patronazhin e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Lajmi bëhet i ditur nga burime të presidencës në Shkup, dhe se kjo është konfirmuar pas një bisede telefonike që ka pasur Ivanov sot pasdite me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Dy presidentët kanë biseduar edhe lidhur me thellimin e bashkëpunimit dhe komunikimit midis dy vendeve. Për takimin e ashtuquajtur “Samiti i presidentëve të rajonit të Ballkanit” që do të organizohet më 7 dhe 8 janar të vitit të ardhshëm në qytetin e Prizrenit, pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesic, ai i Malit të Zi, Filip Vujanovic dhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Një pjesë e mediave bëri sot të ditur se Presidenti maqedonas, Georgi Ivanov nuk do të ishte i pranishëm në këtë takim të nivelit të lartë të presidentëve.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›