E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaho Aliaj: “Vëllanë tim e shpëtoi Zani Caushi”

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Masakra e Qafë-gjashtës

Efektivë policie, banorë të zonës dhe vetëm familjarët e viktimave kanë dhënë dëshminë e tyre dje në seancën e radhës për gjyqin e Qafë-gjashtës. I pari që ka dhënë dëshminë dje ka qenë Jaho Aliaj, vëllai i oficerit të marrë peng nga protestuesit në Qafë-gjashtë. Jahoja ka qenë tepër i ngurtë në deklarimet e tij, duke treguar shumë pak detaje për rrëmbimin e të vëllait. Por ai ka paraqitur edhe një herë faktin se Zani Caushi me bandën e tij kanë qenë personat që arritën të lironin vëllanë e tij.
Vëllai i Aliajt
Gjatë dëshmisë së tij, Jaho Aliaj nxori dhe një herë në skenë emrin e Zani Çaushit, si personi që kishte sjellë nga Saranda policin e marrë peng, por dëshmitari nuk dha asnjë detaj lidhur me personat me të cilët ai kishte negociuar për të marrë vëllanë e tij. “Lajmin e morëm vesh nga djali i hallës, i cili erdhi në shtëpi dhe na tha që Edin e kishin marrë peng në Sarandë dhe se nuk e dinim në ishte gjallë apo kishte vdekur”,- u shpreh Jaho Aliaj. Më tej ai vazhdoi dëshminë e tij duke treguar se u nis menjëherë në drejtim të Sarandës, por në Himarë takon dajën e tij, i cili i thotë se Eduard Aliaj ndodhej në spital dhe i tha që të kthehej në Vlorë se në Sarandë ishte e pamundur që të hyje. Pas kësaj, trupi gjykues dhe prokurorët e pyetën atë lidhur me detaje, të cilat mund t ia kishte thënë i vëllai, por dëshmitari u shpreh se “sa herë mund të niste një muhabet lidhur me atë ngjarje, Edi nuk pranonte të fliste dhe ndërronte temë, kështu që vetëm pak gjëra kam mësuar nga ana e tij”. Ai shtoi se kur kishte ardhur në Vlorë, Eduardi kishte shenja plagësh në kokë dhe në kurriz. Sipas fjalëve që i kishte thënë i vëllai, dëshmitari tha në sallën e gjyqit që tek Turizmi i kishin dalë përpara disa persona, me të cilët kishte pasur debat, por më pas ata ishin larguar. Kur kishin vajtur në Qafë-gjashtë ishin qëlluar nga persona të armatosur.
Dëshmitë
Në sallë ishte i pranishëm, në cilësinë e dëshmitarit, dhe ish-shefi i Komisariatit të Sarandës, Mustafa Golemi, i cili ishte emëruar në këtë post disa ditë pas ngjarjes. Lidhur me ngjarjen ai deklaroi se atë ditë kishte qenë në qendër të qytetit dhe se kishte parë një turmë të madhe njerëzish që i drejtoheshin Qafë- gjashtës. “Duke qenë se kam qenë për një kohë të gjatë oficer, kisha frikë se mos ndodhte ndonjë gjë, pasi të gjithë ishin të armatosur dhe shkova me idenë për të qetësuar gjendjen. Sapo shkova në Qafë-gjashtë, pashë një makinë të djegur në krahun e djathtë të rrugës, ndërsa tek lapidari, pashë disa njerëz të cilët ishin duke incizuar një person të lidhur. Aty mora vesh që ishte polic dhe që shoqëronte policin që ishte vrarë”, - dëshmoi Golemi. Ai shtoi se pasdite këtë person e kishin nxjerrë në qendër të qytetit, ku e kishin marrë në pyetje, por ai nuk kishte dijeni për këtë gjë, pasi nuk kishte qenë prezent. Në deklarimet e dhëna në vitin 2004, të cilat u lexuan në sallë nga ana e avokatit Ferdinand Ndoja, Mustafa Golemi ishte shprehur se, pasi mori postin e shefit të Komisariatit, kishte ngritur një grup pune për të zbardhur këtë ngjarje dhe në bazë të të dhënave të mbledhura kishte rezultuar se Edmond Sejko (“Bubeqi”) ishte marrë peng nga ana e Sokol Bizhgës.

Oficeri i policisë: “Eduard Aliaj mbahej peng në spital”
Një tjetër dëshmitar ishte dhe Pëllumb Kolonja, i cili kishte filluar punë në mënyrë vullnetare në Policinë e Sarandës, në datën 16 mars të vitit 97 . Ai deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për ngjarjen, pasi kishte qenë në shtëpi. Ai deklaroi vetëm se disa ditë më pas, kishte shkuar në spital dhe kishte parë tek dera e dhomës, ku mbahej Eduard Aliaj, Vladimir Sinanin, i cili rrinte aty. Sipas Kolonjës, ai i kishte thënë këtij të fundit që të mos linte të hynte njeri se i kishte ardhur keq për atë. Ai shtoi gjithashtu se Aliaj mbahej i lidhur me pranga pas krevatit. Pas daljes së tij nga salla, prokurori Adnan Xholi kërkoi rrëzimin e pjesshëm të dëshmisë, duke lexuar deklarimet e dhëna nga ana e tij. Në këto deklarime ai thoshte se pasditen e ngjarjes, tek sheshi pranë Bashkisë, kishte dëgjuar “Gicin” (Nestor Sinanin) që thoshte se në Qafë-gjashtë kishin dashur t i vrisnin. Ata kishin hedhur granatë, por ky e kishte kapur dhe ua kishte kthyer mbrapsht.

Ky lajm është publikuar: 04/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›