E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata shpall fajtor Krenar Ahmetin

Autori i Lajmit: red.
Krenar Ahmeti është shpallur fajtor për kryerjen e veprimeve arbitrare në kohën që ka qenë në krye të Qarkullimit Rrugor. Gjykata është shprehur dje, duke dënuar me një gjobë prej 200 mijë lekësh Krenar Ahmetin si dhe me nga 100 mijë lekë dy të pandehurit e tjerë, Alfons Gjoni dhe Blenard Vathi. Sipas vendimit të gjykatës, ish-shefi i Qarkullimit shpallet fajtor vetëm në rastin e incidentit me prokuroren Elisabeta Imeraj, ndërsa për rastin tjetër, atë të përplasjes me qytetarin nga Durrësi, Hasan Nezajn, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm. Prokuroria gjatë pretencës në seancat e kaluara kërkoi dënimin e Krenar Ahmetit me 500 mijë lekë gjobë, Blenard Vathi me 200 si dhe Alfons Gjonin me 200 mijë lekë gjobë. Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të të pandehurve për të dyja rastet e kallëzimit. Prokuroria argumentoi se i pandehuri ka ndaluar në mënyrë të padrejtë dhe ka shoqëruar prokuroren Elisabeta Ymeri
(Bajri) si dhe një qytetar nga Durrësi, Hekuran Neza. Sipas organit të akuzës, në dëshmitë e dhëna përpara organit të akuzës nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë denoncuar shefin e Qarkullimit Rrugor Tiranë, bëhej me dije se ai i kishte fyer dhe i kishte ndaluar në mënyrë çnjerëzore, duke i tërhequr nga krahu dhe duke u marrë mjetin me të cilin udhëtonin, pa të drejtë. Si fillim, Krenar Ahmeti u denoncua në Prokurori në muajin qershor nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Ymeri, si dhe bashkëshorti i saj, avokati Agron Bajri. Ngjarja për të cilën akuzohet Ahmeti ka ndodhur mbrëmjen e 17 majit, kur prokurorja Elisabeta Ymeri kthehej nga spitali me nënën e sëmurë me automjetin e të vëllait. Sipas pretendimit të saj, ishin ndaluar pa shkak në afërsi të dy kullave në bulevardin "Zogu i Parë", ku ishin hasur me vonesat dhe veprime arbitrare të policit rrugor në shërbim. Mbërritja e shefit Ahmeti dhe e të shoqit të prokurores, Agron Bajri, u duk se i hodhi benzinë zjarrit. Pas një grindjeje me fjalë që zgjati disa minuta, dy bashkëshortët përfundojnë në Komisariatin numër 2 të Tiranës.

Ky lajm është publikuar: 04/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›