E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanoviç: Serbia do të hyjë në BE edhe pa Kosovën

Elita politike serbe duhet t'ia bëjë me dije popullit se Serbia është e gatshme që pa Kosovën të hyjë në Bashkimin Europian, ka thënë sekretari i shtetit në Ministrinë për Kosovën në qeverinë serbe, Oliver Ivanoviç, ndonëse deri më tani zyrtarët e lartë serbë kanë thënë sa Serbia pa Kosovën nuk do të bëhet anëtare e BE-së. "Serbia as sot nuk e kontrollon territorin e Kosovës", tha Ivanoviç. Por sipas tij, "aty është Këshilli i Sigurimit dhe rezoluta 1244, roli i së cilës nuk do të ndryshohet". Sipas Ivanoviçit, kjo gjendje do të mbetet e njëjtë "derisa Serbia të mos bëhet anëtare e BE-së dhe të mos krijohet një ambient tjetër politik dhe ekonomik, i cili do të mundësojë një marrëveshje historike të dyja palëve, serbëve dhe shqiptarëve". "Kjo është e vetmja mënyrë që të arrihet një model i qëndrueshëm për zgjidhjen e çështjes nacionale edhe të serbëve edhe të shqiptarëve", tha Ivanovic për gazetën "Dnevnik". Ai ka një qëndrim ndryshe nga zyrtarët e Beogradit, të cilët refuzojnë të paraqiten në takimet ndërkombëtare ku janë prezentë edhe përfaqësuesit e Kosovës. Ivanovic tha se angazhohet për gjetjen e "formulës" për t'u prezantuar pranë zyrtarëve të Kosovës, e që jo të mos interpretohet "si njohje indirekte e pavarësisë së Kosovës". Por Ivanoviç kërcënon se Beogradi, kudo qoftë dhe kudo që ka mundësi, do të bllokojë pjesëmarrjen e përfaqësuesve nën firmën Republika e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›