E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurorët francezë kundërshtojnë vendimin për pafajësinë e Villepinit

Prokurorët francezë paraqiten sot apel kundër vendimit të gjykatës, për të shpallur të pafajshëm ish-kryeministrin e Francës, Dominiqur De Villepin, i cili është akuzuar se ka organizuar komplot për të njollosur rivalin e tij, Nicolas Sarkozy, me qëllim që t’i pamundësojë atij që të zgjidhet president i Francës.

Villepin reagoi menjëherë, duke e cilësuar apelin si të motivuar politikisht dhe akuzoi Sarkozynë se është i “konsumuar nga urrejtja” dhe se është i vendosur që ta sheh atë prapa grilave.

Apeli hapi shtegun për procesin e dytë gjyqësor ndaj Villepinit, me gjasë në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm, deklaroi prokurori Jean Claude Marin.

Një gjykatë në Paris shpalli të enjten të pafajshëm Villepinin, duke e liruar atë nga akuza se në vitin 2004 ka marrë pjesë në komplotin për të njollosur Sarkozynë, në kohën kur këta të dy po garonin për funksionin e pasardhësit të presidentit të atëhershëm, Jacques Chirac.

Marin theksoi se ka vendosur të apelojë kundër vendimit të gjykatës, ngase në rastin kundër Villepinit ende nuk ka dalë në sipërfaqe e gjithë e vërteta.

Vendimi i gjykatës ishte një fitore për Villepinin dhe një goditje për Sarkozynë. Vendimi është konsideruar si një mundësi për rikthimin politik të Villepinit, në momentin kur ai ka shprehur ambiciet e tij për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale në vitin 2012.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›