E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bin Ladeni ambientalist

Shefi i Al Qaidës, Osama Bin Ladeni, ka fajësuar shtetet e industrializuara për ngrohjen globale dhe apeloi për bojkotin e dollarit amerikan, me qëllim që t’i jepet fund “skllavërisë”, në audio-porosinë më të re, e cila u emetua sot nga kanali televiziv, Al Jazeera.

“Të gjitha shtetet e industrializuara, kryesisht ato të mëdhatë, janë përgjegjëse për krizën e ngrohjes globale”, u theksua në porosinë, e cila ju atribua Bin Ladenit.

Në këtë porosi të pazakonshme, e cila u emetua pikërisht në momentin kur po mbahet takimi i Forumit Botëror të Ekonomisë në Davos, ai tërhoqi vërejtjen për pasojat e ngrohjes globale, duke theksuar se diskutimi për ndryshimet klimatike nuk është një luks intelektual, por një realitet.

“Është kjo një porosi për gjithë botën në lidhje me ata, të cilët po shkaktojnë ndryshimet klimatike, me apo pa qëllim dhe për atë se çfarë duhet të bëjmë për këtë çështje”, tha Bin Laden.

Ai më pas akuzoi edhe administratën e ish-presidentit amerikan, George Bush, për shkak të mos-nënshkrimit të protokollit të Kyotos për të luftuar ndryshimet klimatike.

“Bushi i ri dhe Kongresi amerikan refuzuan marrëveshjen, vetëm sa për të kënaqur kompanitë e mëdha”, tha Bin Ladeni.

Udhëheqësi i Al Qaidës bëri thirrje edhe për bojkotimin e dollarit amerikan. “Ne duhet t’i japim fund përdorimit të dollarit dhe ta heqim atë qafësh. E di se do të ketë përndjekje të madhe për shkak të kësaj, por kjo është mënyra e vetme për të liruar njerëzimin nga skllavëria e Amerikës dhe e kompanive të saj”, shtoi ai.

Kjo porosi u emetua më pak se një javë pasi që Bin Ladeni lavdëroi si “hero” nigerianin Umar Abdulmutallab, i cili tentoi të hedhë në ajër një aeroplan gjatë aterrimit në aeroportin e Detroitit, në ditën e Kërshëndellave.

Autenciteti i porosisë paraprake nuk kishte mundësi të identifikohej në mënyrë të pavarur, por IntelCenter, një grup në SHBA që monitoron faqet islamike në internet, theksoi se duket se zëri në porosi është ai i Bin Ladenit.

Presidenti amerikan, Barack Obama, theksoi se marrja e përgjegjësisë nga ana e Bin Ladenit për sulmin e dështuar në Detroit është një dëshmi se udhëheqësi i Al qaidës është dobësuar.

State Departamenti amerikan më pas theksoi se Bin Ladeni po kërkon famë, duke marrë përsipër përgjegjësinë për incidentet nëpër botë.

“Bin Ladeni ka tentuar të vendos vulën e tij mbi të gjitha gjërat, që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit”, tha Daniel Benjamin, koordinator për anti-terrorizëm në State departament.

SHBA-ja ka ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarë për kokën e Bin Ladenit, i cili ka tashmë tetë vjet që po fshehët, me gjasë diku në brezin kufitar mes Pakistanit dhe Afganistanit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›