Ivanoviç: Unë, kryebashkiaku paralel i Mitrovicës
Oliver Ivanoviçi, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, do të jetë një nga kandidatët për kryetar komune të Mitrovicë në zgjedhjet e organizuara nga Serbia, më 30 maj. Ivanoviç do të jetë kandidat i Iniciativës Qytetare të Serbisë, Demokracisë dhe Drejtësisë. Ai ka deklaruar të premten se ideja kryesore themelore e kandidaturën e tij për kryetar është të forcojë praninë e institucioneve serbe në terren, ndërsa Iniciativën Qytetare e ka formuar nga fakti se ka shumë parti politike dhe populli është ngopur me to. Ivanoviç ka deklaruar për mediat serbe në veri se “Demokracia është një fjalë e harruar në Mitrovicë dhe do të insistojë që të gjitha vendimet të merren me rrugë demokratike dhe është e rëndësishme që së paku të frenohet korrupsioni”. Ai ka thënë se kandidatura për kryetar komune nuk do ta pengojë në kryerjen e funksionit të Sekretarit Shtetëror. Ivanoviç është shprehur optimist, pasi ka thënë se nuk sheh konkurrencë dhe se po mendon edhe për koalicion paszgjedhor me partitë politike, që janë afërt me konceptin e tij, por jo edhe me partitë dhe iniciativat që janë të mbështetura nga Marko Jakshiç dhe Milan Ivanoviç.
Ivanoviç e ka quajtur strategjinë për veriun tashmë të vdekur, si dhe ka komentuar propozimet e institucioneve të Kosovës për formimin e Komunës Mitrovicë e Veriut. “Me fitore në zgjedhje do të formohet qeverisje e fortë lokale dhe me përkrahjen e popullit do të kenë sukses të rezistojnë iniciativat që vijnë nga Prishtina”, ka thënë Ivanoviç.