Sejdiu: Askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të EULEX-it, Johannes van Vreeswijk, ka deklaruar se është zemëruar nga komentet e Kryeministrit Hashim Thaçi dhe të zyrtarëve të tjerë kosovarë për hetimet e EULEX-it ndaj asaj që ai e klasifikon si “rasti Limaj”. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, të cilën kjo e ka botuar në numrin e djeshëm, ai i ka garantuar zyrtarët dhe qytetarët kosovarë se EULEX-i ka fakte për këtë rast dhe se po heton edhe në gjashtë raste të tjera të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Van Vreeswijk u bëri thirrje të gjithë zyrtarëve në Kosovë që kanë qenë ose janë të lidhur me krimin e organizuar, “që të fillojnë të djersiten”. Sipas tij, Kryeministri dhe çdo ministër duhet të ndihen rehat, sepse EULEX-i nuk do t`u përzihet në punët e zyrave të tyre, nëse nuk ka diçka të jashtëligjshme. “Por kur ka shkelje të ligjit, mos të mendojnë se ne do të trokasim në dyer dhe t`i pyesim se a bën të hetojmë”, ka thënë Van Vreeswijk. Prokurori holandez, por me mision në Kosovë, ka thënë se e ka të qartë se si do ta “pastrojë Kosovën” nga krimi i organizuar dhe garanton se krimi do të luftohet në çdo pjesë të vendit, në të gjitha nivelet. Sipas tij, të dyshuarit e rastit të MTPT-së, ministri Fatmir Limaj dhe shefi i Prokurimit Nexhat Krasniqi dyshohen për veprat penale: shpëlarje parash, krim i organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare, mashtrim në zyrë dhe ryshfet. Në total për këto vepra, sipas tij, bazuar në ligjet e Kosovës, mund të dënohesh me 55 vjet burgim. Van Vreeswijk shpjegon se të dyshuarit që po hetohen nga EULEX-i janë të profileve të larta dhe nuk janë vetëm zyrtarë nga PDK-ja. “Kemi edhe të partive të tjera, nëse kjo e siguron Kryeministrin se ky aksion nuk është sulm ndaj partisë së tij”, ka thënë prokurori. Ai i ka ftuar të gjithë që të mos mendojnë se zyrtarët e EULEX-it janë “budallenj që do të rrezikonin kredibilitetin e tyre duke ndërhyrë pa pasur argumente dhe fakte”. Johannes ua ka tërhequr vëmendjen të gjithëve se korrupsioni është krim serioz dhe se ata që po e bëjnë, të jenë të sigurt se “EULEX-i do t`i ndalë”.
SejdiuPresidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë për radion “Deutsche Welle”, i pyetur nëse kontrolli i shtëpisë së ministrit Fatmir Limaj nga ana e EULEX-it po e dëmton imazhin e Kosovës, tha se nuk dëshiron të ketë paragjykime për raste dhe çështje të cilat mund të ngrihen në një formë apo në një formë tjetër. "Për mua vlen formula: askush nuk është mbi ligjin. Janë pushtete të ndara dhe ato duhet ta bëjnë punën e tyre, flas për gjyqësorin, apo për pjesën e hetuesisë dhe kjo vlen për secilin njeri, pavarësisht. Pra, është me rëndësi që puna e institucioneve të bëhet në mënyrë të ndershme dhe ajo ndershmëri dhe pavarësi e institucioneve të japë të vërtetën për çdo fakt që mund të ngrihet", nënvizoi Presidenti Sejdiu.
#