E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanoviq: Gjyqësia në veri, vetëm nën UNMIK-un

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar në veri të Mitrovicës se stabilitetit në Kosovë, sipas tij, nuk i ndihmojnë deklaratat sipas të cilave Kosova është hapësirë unike e gjyqësisë në të cilën do të ekzistojë vetëm një sistem gjyqësor.

Ai ka vlerësuar si "shumë agresive" deklaratën e dhënë sot nga zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq, e cila ka thënë për mediat serbe në veri, se janë duke u zhvilluar bisedimet për kthimin e gjyqtarëve lokalë dhe prokurorëve në gjykatat në veri të Mitrovicës.

"EULEX-i është duke punuar intensivisht në përgatitjen e infrastrukturës së domosdoshme, në mënyrë që ky proces të ecën përpara", ka thënë Gudeleviq.

Por, Ivanoviq këmbëngul se sistemi gjyqësor në veri mund të jetë vetëm nën UNMIK-un, sepse siç shprehet ai, “Serbia, por edhe serbët, kurrë nuk do të pajtohen që në veri të kenë ndonjë sistem gjyqësor tjetër".

Për më tepër, Ivanoviq vlerëson se është shumë me rëndësi që në Kosovë të arrihet një zgjidhje përmes marrëveshjes, përderisa ka theksuar se lëndët gjyqësore nuk janë problem, por simbolika dhe ndërtesa.

"Insistimi për ndërtesën është ajo që më së shumti po i frikëson serbët, dhe konsideroj si të mjaftueshme që lëndët të merren, dhe pastaj atyre që iu ngutet ne të fillojnë t'i zgjidhin ato në jug të qytetit", ka thënë Ivanoviq, transmeton Kosovapress.

Pavarësisht se ishte paralajmëruar kthimi i gjyqtarëve shqiptarë dhe atyre serbë, tani në gjykatat në veri janë duke punuar vetëm gjyqtarët dhe prokurorët e misionit të EULEX-it.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›