E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet hetimi për vjedhësit e banesave dhe lokaleve të zbuluar nga facebook-u

Prokuroria përfundoi mbledhjen e provave për grupin e akuzuar për 12 vjedhje të kryera në kryeqytet


TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, për gjashtë muaj hetim, arriti të provojë sipas saj
12 vjedhjet e lokaleve dhe banesave të kryera, nga një grup prej gjashtë të pandehurish që
tashmë do të gjykohen nga një trupë gjyqësore e kryesuar nga Bujar Krasniqi. Të arrestuarit u zbuluan pas një hetimi të kryer nga komisariati nr.3 dhe Prokuroria e Tiranës, ndërsa arrestimi u krye pas identifikimit të tyre nga policia pas takimeve të lëna me ta në Facebook. Mësohet se dosja me nr.1804, ka me cilësinë e të pandehurit, Arjan Fejzullarin, Durim Morinën, Ilir Shehi, Ilir Zenka, Simon Thanasin dhe Valter Vladin. Mbi ta rëndojnë akuzat e "vjedhjes" në bashkëpunim më shumë se njëherë dhe të "përvetësimit të parave ose mallrave të vjedhura".


Sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit e arrestuar në operacionin e policisë të koduar "Mesnata", në janar të këtij viti, në bashkëpunim mes tyre, kanë kryer vjedhjen e 12 lokaleve dhe banesave të ndryshme. Këto vjedhje, sipas akuzës, janë kryer në 20 -ditshin e fundit të vitit 2009 dhe 20 ditët e para të janarit 2010 në rrugë të ndryshme në Tiranë. Për arrestimin dhe zbulimin e tyre si dhe zbulimin e vendndodhjes së sendeve të vjedhura policia ishte infiltruar edhe në rrjetin social "Facebook" duke i bërë miq disa nga të arrestuarit e datës 27 janar 2010.


Sipas dosjes, "banda" kishte arritur të vidhte lekë, kompjuterë, televizorë, mobilje, paketa cigaresh në dyqane dhe sende të tjera me vlerë, si bizhuteri, argjend dhe flori, ku disa prej këtyre sendeve të vjedhura i janë sekuestruar të pandehurve në momentin e arrestimit si dhe sende që ata përdornin për të kryer vjedhjet, si kaçavidë, doreza dhe kapuçë. Sipas dosjes, më dy janar të vitit 2010 të pandehurit kanë vjedhur me thyerje një dyqan në Rrugën e Durrësit, më pas më pesë dhe tetë janar kanë vjedhur në Laprakë me thyerje dy lokale të ndryshme.


Vjedhja e radhës është kryer më datë dhjetë janar në rrugën "Gjergj Legisi", pranë shkollës "Aleks Buda", ku në një dyqan kanë vjedhur një sasi të madhe paketash cigaresh dhe artikuj të tjerë. Ndërsa më 12 janar kanë vjedhur dhe dy lokale të tjera në "Kodër Kamëz". Vjedhjen e fundit të pandehurit e kanë kryer më datë 20 dhe 21 janar në rrugën "Lord Bajron" dhe "Don Bosko" duke vjedhur sende me vlerë.

VJEDHJET
2 janar, dyqan në Rrugën e Durrësit.
5 janar, dyqan në Laprakë.
7 janar, lokal në Kodër Kamëz.
8 janar, dyqan në Laprakë.
10 janar, dyqan në rrugën "Gjergj Legisi".
12 janar, lokal në Kodër Kamëz.
12 janar, lokal në Kodër Kamëz.
13 janar, bar-kafe në Rrugën e Durrësit.
20 janar, lokal në rrugën "Pandi Dardha".
20 janar, furrë buke në rrugën "Don Bosko".
21 janar, lokal në rrugën "Lord Bajron".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›