E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri në Urën e Pezës, për herë të dytë

Policia përsëriti se po heton zjarrvënien e qëllimshme dhe rënien aksidentale të zjarrit. Gjashtë të shoqëruar


TIRANE- Një ditë pas incidentit të mesnatës së të enjtes duke u gdhirë dita e premte, Policia e kryeqytetit reagoi nëpërmjet një deklarate për shtyp, në të cilën pohoi se lidhur me rënien e zjarrit në urën e Çelmetajve, ka nisur menjëherë hetimet pas shuarjes së zjarrit të konstatuar mesnatën e të enjtes. Sipas burimeve zyrtare të policisë, hetimet e tyre janë drejtuar në dy pista, në atë të një zjarrvënieje të qëllimshme, apo të një zjarri aksidental. Kjo është hera e dytë që bie zjarr në këtë urë, duke shtuar dyshimet për një veprim të qëllimshëm. Ky fakt u pohua dje për "Shekullin", nga deputeti Dashamir Peza i cili banon në këtë zonë. Në këtë urë, vetëm pak minuta më vonë, duhej të kalonte kreu i PS-së Edi Rama, i cili është bllokuar në hyrje të urës, për në fshatin Pezë të komunës me të njëjtin emër.


Ura e mësipërme lidh fshatin Pezë me rrugën Kombëtare Tiranë- Ndroq- Plepa dhe është e vetmja mundësi për banorët e zonës, për të lëvizur nga Komuna e Pezës në drejtim të Tiranës dhe Durrësit, si dhe anasjelltas. Ndërkaq, mësohet se për ngjarjen, policia ka shoqëruar një grup personash, banorë të zonës, të cilët pasi janë marrë në pyetje nga policia janë lënë të lirë prej saj për shkak se nuk kanë pasur asnjë dyshim apo fakt që përfshinin personat e shoqëruar në këtë veprim. "Medatë 30 korruk 2010, rreth orës 00.00, shërbimet e policisë janë njoftuar per rënien e një zjarri në urën e Çelmetajve, e cila lidh rrugën nacionale Tiranë- Durrës me fshatin Pezë. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e policisë së Komisariatit nr 6- të si dhe shërbimi zjarrfikes.


Ata konstatuan se në urën prej dërrase kishte rënë zjarr dhe nisën shuarjen e tij". Kështu deklaroi policia në lidhje me rënien e zjarrit, ndërsa më tej pohoi se menjëherë ata kishin nisur veprimet për shuarjen e tij, ndërsa sipas saj, pas shuarjes së zjarrit u evidentua se demtimet nuk përbenin shkak per bllokimin e automjeteve. "Pas kryerjes se disa provave me mjetet e policisë, ura u hap për kalimin e mjeteve. Aktualisht policia po heton për një zjarrvënie të qëllimshme por edhe për mundësinë e një zjarri aksidental, - deklaroi më tej policia. Sipas kësaj të fundit, specialistët e policisë kishin marrë takim me kryeplakun e fshatit si dhe me kreun e komunës për të sqaruar rrethanat. Kjo urë e drunjtë e ndërtuar përpara shumë vitesh shërben si e vetmja mënyrë kalimi për fshatin dhe komunën Pezë, në drejtim të kryeqytetit, ndërsa duket se asnjë herë nuk është menduar që t'i jepet një zgjidhje kësaj zone për ndërtimin e një ure që do të zgjidhte plotësisht problemin e banorëve të zonës.

Peza:
Nuk dua ta besoj si akt të qëllimshëm
Në lidhje me incidentin e dy netëvë më parë reagoi deputetit i Partisë Socialiste, Dashamir Peza, i cili është edhe banor i fshatit Pezë. "Unë jam informuar sot (dje) për këtë ngjarje, pasi kam qenë në Mal të Zi dhe nuk kam dijeni se ç'ka ndodhur në të vërtetë, -tha ai. Më tej ai vazhdoi: Nuk dua të besoj se kjo ngjarje të ketë ndodhur me paramendim, por realisht të jetë një ngjarje aksidentale. Sipas Pezës, një ngjarje e tillë e ngjashme është shënuar edhe para rreth katër muajsh, kur një zjarr u vu re në urë. Për fat të mirë, zjarri u neutralizua shpejt dhe nuk pati asnjë dëmtim serioz për gjendjen fizike të saj. Sipas Pezës, ai kishte biseduar dje me kreun e komunës i cili e kishte informuar për ngjarjen. Më tej ai pohoi se nuk kishte ndonjë indice se për se apo se kush mund të ketë tentuar të bënte një veprim të tillë nëse ai ishte i qëllimshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›