Ivica Oliç, ylli falas i Van Gal

www.albania-sport.com - Një...dy...tre. Nuk është një numërim i thjeshtë aritmetikor. Është numri golave që shënoi sulmuesi i Bajernit Ivica Oliç në fitoren 3-0 të gjermanëve kundër Olimpikut të Lionit në Francë, për të dërguar pas nëntë vjetësh bavarezët në një finale të Ligës së Kampioneve. Kroati Ivica Oliç, i diplomuar si inxhinier elektrik, lojtari që ka fituar 8 trofe në karrierën e tij (dy herë kampion në Kroaci, tri herë kampion në Rusi, dy Kupa të Rusisë dhe një Kupë UEFA), është lojtari i momentit te Bajerni, tifoz i të cilit ishte qysh kur ishte fëmijë. Tre golat e tij në fitoren 3-0 të Bajernit në ndeshjen e kthimit kundër Lionit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve e bënë të famshëm në të gjithë botën e futbollit. Ishin golat me numër pesë, gjashtë dhe shtatë në kompeticionin elitar Europian, duke qenë i dyti pas Lionel Mesit të Barcelonës, por me Barçën e eliminuar nga Interi, tani Oliç i ka të gjitha mundësitë (teorike) për të qenë ai golashënuesi më i mirë i turneut, gjithmonë nëse ai do t’ia dalë të realizojë dy gola në finalen e Madridit.
GJAHTAR GOLI
Në fakt, Oliç mund të konsiderohet edhe si një yll i vonuar, pavarësisht se vëmendja ndaj talentit të tij është shfaqur herët. Herta e Berlinit e mori 19-vjeç Oliçin nga NK Marsonia Slavosnki duke e çuar direkt në Bundesligë. Fillimi në kryeqytetin gjerman ishte i vështirë, por aty gjeti dhe gruan e jetës. Një berlineze me të cilën ka tri fëmijë. Vetëm dy ndeshje me Hertën në Bundesligë dhe kthim prapa te Slavonski Brod. Në ligën kroate Oliç u zhvillua si një prej sulmuesve më rrezikshëm. Te Marsonia (21 gola në 42 ndeshje), te NK Zagreb (21 gola në 29 ndeshje) dhe te Dinamo Zagreb (16 gola në 27 ndeshje).
“GJARPRI” RUS
“Kërcimin” në një top-ligë Europiane, Oliçi nuk e bëri në Perëndim, por në Lindje, në Rusi, te CSKA-ja e Moskës (203-2007, 78 ndeshje, 35 gola). Në vitin 2005, “gjarpëri” Oliç (kështu është nofka e tij), kishte fituar me CSKA-në e Moskës Kupën UEFA, por te skuadra ruse Oliç nuk ishte një yll, duke qëndruar nën hijen Daniel Karvajos dhe Vanger Love. Të dy brazilianët ishin pa dyshim më të mirë.
ASNJË EURO
Por, tashmë 30-vjeçari është një yll i madh. Dy sezone të mira te Hamburgu (2007-2009, 78 ndeshje, 29 gola) e më pas te Bajerni në parametra zero, për më tepër i konsideruar si një futbollist shtesë, por që tashmë në në drejtimin e Van Galit është shndërruar në një titullar. Me bavarezët, Oliç do të luajë finalen e parë të Ligës së Kampioneve. Dhe kjo në sezonin e tij të parë në Munih. Tani është hapur një diskutim interesant. Kush transferimi më i mirë te Bajerni gjatë viteve të fundit? Frenk Riberi është një lojtar i jashtëzakonshëm, pro francezi ka kushtuar 24 milionë euro. Arjen Roben është ndoshta një lojtar akoma më i mirë, por holandezi me 24 milionë nuk është aspak i lirë. Oliç nuk kushtoi as edhe një euro të vetme kur u transferua në verën e vitit 2009 nga Hamburgu te Bajerni.
NDESHJA E JETËS
Edhe pse Riberi ashtu si dhe Roben kanë realizuar gola të rëndësishëm për Bajernin në Ligën e Kampioneve, por atë më të rëndësishëm i ka shënuar Oliç. Kundër Mançester Junaitid ai shënoi golin 2-1 të fitores në Munih dhe golin 1-3 në humbjen 3-2 me Mançesterin. Veçanërisht goli i tij në “Old Traford” ishte jashtëzakonisht me vlerë. “Pa golin vetëm pak minuta përpara përfundimit të pjesës së parë ne nuk do të ishim rifitur kurrë në lojë dhe me 100 për qind do t’i kishim dhënë lamtumirë turneut”, - tha presidenti i nderit të Bajernit, Franc Bekenbauer. “Unë kisha besuar, që ndeshja në Mançester do të ishte ndeshja e jetës sime, por ja që ka dhe më të mira”, - deklaroi Oliç pas “Gala”-së së tij në Lion. Kush mund ta dijë, se në finalen e 22 majit në Madrid, kroati do të dëshmojë edhe një herë tjetër cilësitë e tij befasuese.
SKEDA
Ivica Oliç
Datëlindja: 17 shtator 1979
Vendlindja: Davor, Kroaci
Ekipet: Marsonia (Kroaci), Herta Berlin (Gjermani), NK Zagreb (Kroaci), Dinamo Zagreb (Kroaci), CSKA Moskë (Rusi), Hamburg (Gjermani), Bajern Munih (Gjermani).
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Enjte, 29 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili