E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi në “Shtëpinë e Bardhë”, adios Barca

www.albania-sport.com - Dhjetë heronj zikaltër sfiduan 11 lojtarë të Barcelonës dhe 90 mijë të pranishëm në “Kamp Nou”, në një humbje të ëmbël 1-0 të Interit, që i çoi kampionin fuqiplotë të Serisë A në finalen e madhe të Ligës së Kampioneve pas 38 vjetësh, falë gjenialitetit të “Special One”, strategut Hoze Murinjo. Nuk pati “remuntada” – përmbysje.

Një triumf që vjen pas rezultatit të përgjithshëm 3-2, falë fitores 3-1 të një jave më parë në “San Siro”. Finalja e madhe e Ligës së Kampioneve në “Bernabeu” është Inter-Bajern, me shumë sfida brenda 90 minutave të “Santiago Bernabeut”, më 22 maj. “Nxënësi” Murinjo kundër “mësuesit” Van Gal; holandezi Snajder i Interit kundër tulipanit Roben të Bajernit.

Një super-akrobaci e Hulio Sezarit në goditjen më të rrezikshme të Lionel Mesit (32’) në pjesën e parë dhe kartoni i kuq i Tiago Motës (28’, faull ndaj Buskets) për Interin ishin dy momentet kulmore të një pjese të parë pa shumë nerv në një Barça-Inter pa gola dhe tërësisht të nervozuar.

Një Inter i ngjeshur në gjysmëfushën e tij dhe një Barcelonë me pasime horizontale, me synimin e goditjes me kundërsulm, por zona zikaltër ishte më e blinduar se kurrë, falë një strategjie të qartë të ideuar nga Hoze Murinjo.

Gjithsesi, nuk munguan ngacmimet e Barçës, por pa forcë goditëse, ku pati edhe një grisje bluze pikërisht të Zlatan Ibrahomiviçit. Mbrojtësi i Interit dhe kapiteni i Kombëtares braziliane, Lusio, e mbylli me sukses zonën e tij thuajse në të gjitha rastet, duke bllokuar driblimet bezdisëse të Lionel Mesit, apo inkursionet aspak të zgjuara të Ibrës. Madje dhe goditja e lirë e tij në minutën e 44-t ishte një kapricio e suedezit, i zëvendësuar në minutën e 62-të nga Bokan Kërkiç.

Pep Guardiola i bëri të tre zëvendësimet e mundshme, duke hedhur tërësisht në fushë në Barçë ofensive kur duheshin edhe 30 minuta lojë e kur rezultati ishte 0-0.

Holandezi Uesli Snajder, i ngarkuar edhe në rolin e një mesfushori mbrojtës, në një prej ndeshjeve të luajtura me një sakrificë sublime të holandezit, u zëvendësua në minutën e 66-të nga Sulej Muntari. Samuel Eto’o, një prej ish-djemve të Barcelonës, në rolin e një anësori të majtë të tërhequr e kishte gëlltitur përmendësh udhëzimin e Murinjos, duke fituar e rikuperuar topa të rëndësishëm, pavarësisht se mori mbi vete urrejtjen e 90 mijë katalanasve.

Lionel Mesi dha një harkim perfekt në minutën e 82-të, por Bojan Kërkiç bëri më të pamundurën, goditi jashtë kuadratit të mbrojtur nga Hulio Sezar. Kur duheshin edhe shtatë minuta, Zherad Pike, i gjetur në një pozicion të dyshimtë, gjeti golin e parë për Barcelonën në minutën e 83-të, duke ndezur “Kamp Noun” dhe rrëngjethur Interin.

Murinjo luaji kartën e fundit të ndërrimit duke futur Mekdonald Marigën në vend të Samuel Eto’o-së. Çavi Hernandez lëshoi një silurë të jashtëzakonshme, por i tillë ishte dhe reagimi i Hulio Sezarit. Nga ana tjetër, portieri i Barcelonës, Viktor Valdez, u pa shpesh gati në rrethin e mesit të gjysmëfushës së tij. Barça shënoi një gol në minutën e 92-të, por Ture e kishte marrë topin më parë me dorë.

K. Ronaldo, tifo për Interin

Kristiano Ronaldo ishte një ndër tifozët “VIP” të Interit në ndeshjen e djeshme. “Unë preferoj që të humbasë Barça, pasi jam i Madridit, Reali është klubi im”. Numri 9 nga “Shtëpia e Bardhë” nuk e fsheh: Të shohë Barçën të luajë, e madje të fitojë Ligën e Kampioneve në Bernabeu, në kopshtin e shtëpisë tënde, nuk është një mendim i mrekullueshëm”.

FINALJA
BAJERN -INTER
22 maj 2010, Madrid


Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Merkure, 28 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›