Përdhunohet një 4-vjeçar, krim monstruoz në Dibër
Peshkopi – Një krim i shëmtuar ka ndodhur dje në qytetin e Peshkopisë, duke tronditur të gjithë zonën. Një djalë vetëm katër vjeç është bërë objekt i përdhunimit makabër nga një 20-vjeçar.
Burime nga Policia e Qarkut të Dibrës, që konfirmuan se i vetmi autor i dyshuar i krimit është L. Halili, 20 vjeç, lindur e banues në qytetin e Peshkopisë. Fëmija, identiteti i të cilit nuk publikohet, është dërguar në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, ku mjekët konfirmuan se ai është nën traumë fizike dhe psikike, duke paralajmëruar se pasojat janë të paparashikueshme.
Policia ka arrestuar të dyshuarin e përdhunimit dhe tha se ai përballet paraprakisht me akuzën e marrëdhënies seksuale me të mitur me dhunë, krim që dënohet me burgim deri në 20 vjet. Hetimet nxorën se 20-vjeçari kishte njohje të mëparshme me të afërm të vogëlushit dhe në këto rrethana e ka pasur të lehtë të përmbushë monstruozitetin e tij. Ai e ka tërhequr fëmijën në një banesë larg vëmendjes së familjarëve, duke i ofruar ëmbëlsira dhe më tej ka kryer aktin pervers.
Prokurori kërkoi 34 vjet burg për katër agresorët e familjes Oshafi
Tiranë – Sulmi i përgjakshëm i një babai dhe tre djemve të tij ndaj një familjeje tjetër është konsideruar dje në gjykatë si plagosje nga prokuroria. Prokurori ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale për katër të pandehurit, nga “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në “plagosje të rëndë me dashje”. Konflikti mes dy familjeve për divorcin e një çifti rrezikon t’u kushtojë 34 vjet burg katër pjesëtarëve të një familjeje. Prokurori kërkoi dje dënimin me nga 12 vjet burg për dy vëllezërit, Bledar dhe Armand Zaka, për vëllanë e tyre, Nertil Zaka, dënimin me 5 vjet burg. Më pas Akuza i kërkoi gjykatës mosekzekutimin e vendimit deri në dy vjet, kohë në të cilën i pandehuri nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Për të atin e tre djemve, Izmir Zaka, prokuroria kërkoi 5 vjet burg. Nertil dhe Izmir Zaka janë duke u gjykuar në gjendje të lirë nga ana e togave të zeza të kryesuara nga gjyqtari Kreshnik Omari. Të pandehurit akuzohen se më 2 shkurt të vitit të kaluar në rrugën “Sadik Petrela” janë konfliktuar me Ramazan Oshafin dhe djalin e tij, Altinin, pas divorci të djalit të familjes Zaka dhe nuses së tij nga familja Oshafi. Pas këtij konflikti pjesëtarët e familjes Zaka akuzohen se kanë qëlluar me thika dy anëtarët e familjes Oshafri.
26 Shkurt 2009