Sëpatë në kokë kushëririt ndërsa flinte
Korçë- Dy të plagosur me sopata është bilanci i fundit në juglindje, teksa protagonist i ngjarjes është një person i dyshuar si i sëmurë mendor. Ngjarja u regjistrua pak para mesnatës të së dielës në fshatin Voskop të rrethit të Korçës, ku një person tentoi të vrasë në gjumë kushëririn me sopatë, ndërsa u ndëshkua më pas nga vajza e të plagosurit, i cili ka përfunduar në koma.
Ngjarja
Duke iu referuar burimeve zyrtare, ngjarja ndodhi në fshatin Voskop, rreth 7 kilometra larg Korçës. Shkëlzen Duçi, 38 vjeç, i cili ka probleme mendore dhe kurohet për sëmundjen e tij, shkoi gjatë natës në shtëpinë e kushëririt të tij Enver Abilas. Duke mos u parë nga askush, Duçi, i cili mbante një sopatë në dorë, iu drejtua dhomës ku flinte Enveri duke e goditur në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit. Zhurmat në dhomën tjetër alarmuan vajzën e të dëmtuarit, Lirjana Lika, e cila ishte atë natë mysafire në shtëpinë e babait. Pasi shkoi në dhomë ajo goditi kushëririn me sëpatë dhe më tej njoftoi policinë. Në spital përfunduan Shkëlzen Duçi, si autor i ngjarjes, si dhe kushëriri i tij 65-vjeçar, Enver Abilas, gjendja shëndetësore e të cilit është shumë e rëndë.
Hetimet
Policia lokale bëri të ditur se nga verifikimet e para të kryera, Shkëlzen Duçi rezulton si një person me probleme mendore. Ky i fundit është izoluar në dhomën e spitalit të Korçës dhe priten verifikimet lidhur me sëmundjen e tij, për të kuptuar nëse duhet të shtrohet në psikiatri apo duhet t’i nënshtrohet procedurave të gjykimit, “vendimi i cili do të merret pas verifikimeve të kryera”, thotë për gazetën zëdhënësi i policisë. Deriatëherë, ndaj tij është ngritur akuza e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë. Ndërkaq, mësohet se në gjendje të lirë po hetohet edhe Lirjana Lika. Lidhur me ngjarjen, nga të dhënat e para rezulton se shkak ka qenë një konflikt për pronat mes familjes së Shkëlzen Duçit dhe familjes së Enver Abilasit. Konflikti ka lindur ditët e fundit për një sipërfaqe toke dhe dyshohet se kjo ka bërë që Duçi të kryente veprimin.