Miratohet ekstradimi i Ilir Kumbaros
LONDER/ANGLI
Ilir Kumbaro, ish-funksionari i SHIK, i akuzuar në çështjen e Remzi Hoxhës, do rikthehet me pranga në Tiranë. Drejtësia britanike i ka hapur dritën jeshile Shqipërisë për të ekstraduar të pandehurin, që po gjykohet nga Krimet e Rënda në kryeqytetin shqiptar. Sipas gazetarit shqiptar që ndoqi procesin, Muhamed Veliu, gjykatësi Haward Riddle, në vendimin prej 13 faqesh, thotë se janë një mori provash që vërtetojnë se personi përpara tij në gjykatë është Ilir Kumbaro dhe se kërkesa e shtetit shqiptar për ta ekstraduar atë është konform ligjeve britanike. Më tej në vendim, sipas gazetarit, gjykatësi britanik ka hedhur poshtë pretendimet e Ilir Kumbaros se ai është Shaqa Shatri i lindur në Prizren më 15 prill 1945, përfshi një raport të hartuar nga eksperti Keneth Linge, i cili pasi ka krahasuar dy foto pohonte se personi i arrestuar nuk është Ilir Kumbaro. Një mori provash të siguruara nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me prokurorin Xhevat Hana dhe Scotland Yard ia kanë lehtësuar punën gjykatësit Riddle për arritur në përfundimin se i arrestuari është Ilir Kumbaro. Të gjitha provat e siguruara janë paraqitur në gjykatë, nga juristja Claire Dobbin, e cila është një njohëse e mirë e kërkesës së ekstradimeve të shtetit shqiptar, pasi ajo është marrë edhe me çështje të tjera, me protagonist të kërkuar shqiptarë. Prova kryesore ishte prezenca e Ervin Kumbaros, djalit të Ilir Kumbaros në momentin e arrestimit ish-shikasit në fund të vitit të shkuar. Po kështu, oficeri i skuadrës së ekstradimeve DC Piter Rance ka gjetur në shtëpinë e Kumbaros një dokument identifikimi për regjistrim në kolegj me emrin Ervin Kumbaro. Rol të rëndësishëm në identifikimin e Kumbaros ka luajtur, gjithashtu edhe dëshmia e ish-kolegut të tij, Bektash Muharremi, i cili ka identifikuar pozitivisht përmes fotos duke deklaruar se "Ky është Ilir Kumbaro, të cilin e njoh që nga viti 1986". "Të gjitha provat që janë përpara meje janë të plota dhe masa e gabimit është tejet e vogël. Nuk kam as më të voglin dyshim se kam përballë meje Ilir Kumbaron", mësohet të ketë pohuar gjykatësi Riddle në fund të shqyrtimit të çështjes së identitetit, ndërsa e mbyll vendimin me duke thënë se: "Jam i kënaqur se kërkesa e ekstradimit është në përputhje me të drejtat e njeriut që gëzon zoti Kumbaro. E dërgoj çështjen tek sekretarja e Shtetit për të firmosur certifikatën e ekstradimit". Kumbaro, i cili shpresonte lirimin nga gjykata e ka pritur me kokë ulur vendimin, ndërsa më pas është ridërguar në qelinë e tij. Po kështu, avokati i tij nuk ka bërë deklarata nëse do e apelonte apo jo këtë vendim. fa.ma.
"Ilir Kumbaro, urdhëruesi i rrëmbimit"
Dëshmitarët e paraqitur deri më tani në gjyqin që po zhvillohet kundër ish-agjentëve të SHIK-ut që akuzohen për ngjarjen e Remzi Hoxhës, janë shprehur tek Krimet e Rënda se operacioni sekret për ndalimin dhe rrëmbimin e shqiptaro-maqedonasit është urdhëruar dhe udhëhequr nga Ilir Kumbaro, ish-drejtor i degës së SHIK-ut të Tiranës.
Tiranë, shtyhet gjyqi te Krimet e Rënda
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda shtyu dje seancën në ngarkim të katër ish-drejtuesve të Shërbimit Sekret, të cilët akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës 14 vjet më parë. Seanca e djeshme në ngarkim të Arben Sefgjinit, Ilir Kumbaros, Budjon Meçes dhe Avni Koldashit nuk është zhvilluar për shkak të mosformimit të trupës gjykuese. Kryesuesi i seancës, Xhelal Elezi relatoi se gjyqtarja Nertina Kosova e kishte pasur të pamundur ardhjen në seancë për shkak të problemeve shëndetësore. Në përfundim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për një afat dy javor, e diktuar kjo edhe nga raporti që gjyqtarja kishte paraqitur përpara gjykatës.