E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izolimi si reminishencë historike e së majtës

Reagimi i presidencës çeke të BE-së nëpërmjet zëvendësministrit të Jashtëm menjëherë pas takimit të parë të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit BE – Shqipëri për progresin e Shqipërisë ka zhvleftësuar përpjekjet e opozitës për të penguar procesin e liberalizimit të vizave. Për dy ditë rresht, para takimit, politikanë të së majtës ish-komuniste janë munduar të përzgjedhin në rreshtat e raportit fraza inkurajuese, duke i paraqitur ato par publikun shqiptar si qëndrim zyrtar të BE-së ndaj liberalizimit të pritshëm të vizave me Shqipërinë. Mashtrime të tilla politiko-mediatike nuk përbëjnë ndonjë risi në retorikën e PS-së dhe krejt të majtës shqiptare dhe as ndonjë argument të besueshëm për elektoratin shqiptar. Ajo që përbën problem real, është dëshira dhe përpjekja e vazhdueshme e opozitës për të penguar me metoda nga më imoralet integrimin euroatlantik dhe krejt pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po ta shikosh me vëmendje deklarimin e përfaqësuesit të presidencës çeke të BE-së, theksohet fakti domethënës i cituar prej tij: “Është e drejtë dhe duhet të përmendet se Shqipëria ka bërë progres, por jo të gjitha vendet e kanë nisur nga e njëjta pikë”. Pikërisht këtu qëndron edhe suksesi i qeverisë shqiptare në procesin e integrimit, tek pikënisja e saj dhe starti në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Shqipëria përbën pa dyshim një rast të veçantë në rajon me historinë afatgjatë dhe afatshkurtër të zhvillimeve të saj të brendshme, por edhe të raporteve me BE-në. Vendi ynë ishte vendi më i izoluar ndërkombëtarisht gjatë 50 viteve të luftës, gjithashtu edhe me diktaturën më të egër në Evropën Juglindore. Si pasojë e kësaj situate, ajo iu bashkua me vonesë grupit të vendeve ish-komuniste që përmbysën diktaturat dhe nisën rrugën e integrimit euroatlantik. E gjithë kjo vonesë apo pikënisje ishte përgjegjësi më shumë se politike e paraardhësve politikë e gjenetikë të drejtuesve të sotëm të së majtës shqiptare. Nëse do të bëjmë një krahasim me fqinjët tanë ish-komunistë, pikënisja apo starti ynë drejt Perëndimit është pothuaj i pakrahasueshëm. Natyrisht, edhe krahasimi në raport bëhet me vendet e ish-Jugosllavisë, që duhet thënë se kishin një shkallë demokracie shoqërore dhe ekonomike më të përparuar në të gjithë Lindjen ish-komuniste. Liritë shoqërore dhe ekonomike, por deri diku edhe ato politike, ishin shoqëruar me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe një status të privilegjuar të qytetarëve jugosllavë në raportet me Perëndimin, i shprehur në lëvizjen pa viza të tyre në mbarë BE-në. Po t’i shtosh kësaj situate edhe marrëdhëniet në prodhim, tipike kapitaliste të mbështetura mbi ekonominë e tregut, pozita e avancuar me Perëndimin e këtyre vendeve është qartësisht e dallueshme. Nëse do të guxonim të bënim një krahasim me pikënisjen apo startin e Shqipërisë, konstatojmë lehtë se sa mbrapa e me sa pengesa e sidomos sa sakrifica u nisëm ne drejt demokracisë dhe familjes euroatlantike. Duke llogaritur këto kushte të startit shqiptar të integrimit, kemi të gjithë të drejtën të vlerësojmë se arritjet tona janë fantastike. Vetëm për 18 vite forcat demokratike, progresiste dhe perëndimore e çuan Shqipërinë, e mbajtur peng për 50 vjet nga komunistët, nga izolimi me tela me gjemba dhe bunkerë me frëngji drejtuar nga Evropa në anëtare të NATO-s dhe aplikante për kandidate në BE-së. Ky pa dyshim është suksesi më i madh politik, kombëtar e qytetar i shqiptarëve. Kaq besoj se është e mjaftueshme për historinë afatgjatë të integrimit tonë euroatlantik. Mirëpo ka edhe një histori afatshkurtër, që është po aq problematike e kontradiktore e me të njëjtat palë si ajo që përmendëm më lart. Nuk mjaftoi vonesa e shkaktuar nga diktatura, por projekti ynë i integrimit u ndërpre sërish dhunshëm vetëm 5 vjet më vonë, me rebelimin e armatosur të së majtës në vitin 1997. Për 8 vjet rresht, deri në vitin 2005, ish-komunistët ndaluan çdo përpjekje për integrim, duke e kthyer vendin nën një diktaturë tjetër, atë krimit të organizuar, trafiqeve ndërkombëtare të paligjshme, korrupsionit, vrasjeve për motive politike zgjedhjeve te dhunuar etj. Demokratët e z. Berisha gjetën pas rikthimit të tyre në pushtet një Shqipëri të diskretituar ndërkombëtarisht, me një proces integrimi pothuaj të ndalur, vetëm anëtare e Këshillit të Evropës të arritur prej tyre që në vitin 1995, pozitë që ishte kundërshtuar fort nga e majta. Duke mos dashur të zgjatem shumë tek ajo që gjetën pasi dihet nga të gjithë, dua të theksoj se arritjet për 4 vjet në projektin e integrimit euroatlantik të qeverisjes “Berisha” janë vërtet historike.

Për t’u kthyer sërish tek argumenti në krye të radhës, duhet thënë se opozita është munduar të pengojë, injorojë e diskreditojë çdo hap apo ngjarje të procesit të integrimit euroatlantik të vendit. Vizita historike e Presidentit Bush në Shqipëri u mundua të diskreditohej me lajmin e turpshëm të falsifikuar në zyrat dhe mediat e shefit të së majtës, Edi Rama, për gjoja vjedhjen e orës së Presidentit në pikën me kulmore të saj, në takimin me qytetarët në Fushë-Kruje. Po kaq i turpshëm ishte edhe mitingu i protestës së opozitës ditën e marrjes së ftesës së Shqipërisë për në NATO, si dhe bojkotimi i festimeve zyrtare të anëtarësimit në të. Për të ardhur tek çështja e liberalizimit të vizave, rrjedhë logjike e këtij stadi të procesit të integrimit na duhet të biem dakord se e majta nuk e pranon dot lëvizjen e lirë të shqiptarëve. E drejtuar nga politikanë dhe individë, vazhdimësi integrale, politike dhe gjenetike të diktaturës, kjo e majtë po manifeston të njëjtin vullnet politik ndaj integrimit. Duket se janë zëvendësuar vetëm mënyrat dhe mjetet e politikave të izolimit. Propaganda zyrtare kundër SHBA-ve dhe NATO-s është zëvendësuar me lajmin për “vjedhjen e orës së Presidentit”. Telat me gjemba dhe vrasjet në kufi me përpjekjet permanente për sabotimin e procesit të liberalizimit të vizave të qytetarëve. Me pak fjalë, duket qartë që lëvizja e lirë e qytetarëve të këtij vendi nuk i konvenon dhe nuk është në projektet politike të së majtës shqiptare. Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur në lidershipin e saj janë ende ministra të diktaturës komuniste si Gramoz Ruçi apo Skënder Gjinushi. Si përfundim, izolimi vazhdon të jetë pjesë e filozofisë politike e së majtës ish-komuniste shqiptare. Fakti që me luftën kundër liberalizimit të vizave ajo del edhe kundër interesave të votuesve të saj, flet qartë për pamundësinë e reformimit të së vetmes parti ish-komuniste të Evropës Juglindore ende aktive në politikë. Me të gjitha përpjekjet, besoj se procesi i integrimit dhe në veçanti liberalizimi i vizave, është vetëm një çështje kohe për shqiptarët. E majta ka vetëm një mundësi ta pengojë këtë proces: ardhjen në pushtet, mirëpo në kushtet aktuale, kjo mundësi është pothuaj inekzistente. Unë, besoj edhe shumica e shqiptarëve, mendoj se politikat e izolimit nuk janë alternativa elektorale fituese, sidomos kur i drejtohen një elektorati, një populli që ka vuajtur më shume se kushdo nga izolimi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›