E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëzimi, procedurat për pajisje me pasaporta biometrike

Blerja e kuponit në Postat Shqiptare, 6 mijë lekë të reja

Prodhimi i pasaportave biometrike, brenda 15 ditëve

* * * *

Në të gjithë njësitë bashkiake, komuna dhe bashki, prej ditësh është dërguar një udhëzim nga Ministria e Brendshme, lidhur me mënyrën se si duhet të veprohet për aplikimin dhe pajisjen me pasaporta biometrike për shtetasit shqiptarë. Ky udhëzim u është dërguar gjendjeve civile 12 ditë më parë dhe detajon veprimet që duhen kryer nga shtetasit shqiptarë dhe punonjësit e minibashkive, komunave dhe bashkive kur shtetasit paraqiten pranë tyre për aplikime. Sipas këtij udhëzimi që mban datën 08.05.2009, shtetasit aplikojnë për pasaportë biometrike në mjediset e përcaktuara nga koncensionari për këtë qëllim dhe në përputhje me rregullat e miratuara në kontratën koncensionare midis Ministrisë së Brendshme dhe grupimit SAGEM. Dokumentacioni shkresor ruhet nga koncensionari në arshivë për një periudhë 5-vjeçare pas prodhimit të pasaportës. Nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile, referuar udhëzimit me nr. 308, nuk ka fuqi vendimmarrëse në procesin e aplikimit, por kryen vetëm verifikimin e identitetit të aplikuesit, duke e konfirmuar në formularin e aplikimit. Një pasaportë biometrike kushton 6 mijë lekë të reja, ndërkohë që kuponi për pajisje merret pranë sporteleve të Postës Shqiptare.

Aplikimi, për moshën nën 16 vjeç

Në një pikë të veçantë të këtij udhëzimi detajohet mënyra se si do të veprohet me shtetasit nën 16 vjeç. Sipas udhëzimit, ashtu si dhe më parë, shtetasit nën 16 vjeç do të aplikojnë për pasaportë biometrike në prezencë të të paktën njërit prej prindërve, të kujdestarit ligjor ose të përfaqësuesit me prokurë të posaçme. Të miturit nga 0 deri në 6 vjeç do të pajisen me pasaportë biometrike, por pa iu nënshtruar procedurës së marrjes së shenjave të gishtave. Ndërsa, për shtetasit nga 6 deri në 16 vjeç, gjatë aplikimit do t’u merren përveç të tjerave edhe shenjat e gishtave. Vlefshmëria e pasaportës për shtetasit nën moshën 16 vjeç është 5 vjet, ndryshe nga personat e rritur.

Procedura e pajisjes me pasaportë biometrike

Udhëzimi i Ministrisë së Brendshme përcakton se pajisja me pasaportë biometrike bëhet brenda 15 ditëve nga data e aplikimit. Pas prodhimit, në datën e caktuar, pasaportat biometrike do të tërhiqen pranë drejtorive apo komisariateve të policisë sipas procedurës së miratuar. Tërheqja e pasaportës kryhet nga aplikanti, përfaqësuesit e përcaktuar sipas ligjit (kujdestar ligjor apo me prokurë të posaçme) ose një pjesëtar i afërt i familjes (bashkëshorti/ja, prindi, fëmija). Pikërisht në këtë moment, kur kanë marrë në posedim pasaportën biometrike, të gjithë shtetasit shqiptarë do të vihen në dijeni për pavlefshmërinë e pasaportës të mëparshme, kësaj aktuales, e cila është e vlefshme deri më 1 janar të vitit 2011. Ky veprim do i komunikohet menjëherë përfituesit të pasaportës së re, asaj biometrike, nga Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit pranë DPPSH-së.

Si veprohet në rastet kur pasaporta aktuale ka vizë të vlefshme?

Në rastet kur shtetasit disponojnë një vizë të vlefshme në pasaportat aktuale dhe ndërkohë janë pajisur me pasaporta biometrike, atëherë ata paraqesin pranë organeve të kufirit pasaportën biometrike të shoqëruar me pasaportën ekzistuese në të cilën ndodhet viza e vlefshme. Pasaporta e vjetër evidentohet dhe shënohet duke ia dorëzuar shtetasit për përdorim deri në përfundim të vlefshmërisë së vizës.

Si do procedohet nga TIMS në pikat kufitare?

Pas lëshimit të pasaportave biometrike, sistemi i Kontrollit të Kufirit (TIMS) do të kryejë këto procedura:

a) Transferimi i të dhënave do të kryhet manualisht periodikisht deri në momentin kur të dy sistemet do të mund të komunikojnë online.

b) Kompania koncensionare dërgon periodikisht në rrugë manuale/elektronike/online, informacion mbi pasaportat e lëshuara. Ky grup pasaportash do të krahasohet me pasaportat aktive në sistemin TIMS; të gjitha krahasimet pozitive çaktivizojnë pasaportat ekzistuese në sistemin TIMS.

c) Në çdo rast kur shtetasi kërkon të ripajiset me pasaportë, do të zbatohen të njëjtat procedura si për marrjen e saj për herë të parë, por duke lëshuar nga ana e aplikantit një deklaratë për arsyet e kërkesës për ripajisje.

Kur kërkohet ripajisje me pasaportë biometrike?

Një shtetas kërkon të pajiset me pasaportë biometrike para mbarimit të afatit të pasaportës që disponon kur:

a) kur pasaporta e mëparshme është vjedhur ose dëmtuar;

b) kur pasaporta e mëparshme ka humbur;

c) kur ndryshohen gjeneralitetet

Penalizimi në rast shkeljesh të procedurave

Në rast të konstatimit të shkeljeve të procedurave të përcaktuara në këtë udhëzim të Ministrisë së Brendshme të shpërndarë në çdo njësi bashkiake në vend, ndaj nëpunësve të ngarkuar me zbatimin e këtij akti do të merren masa disiplinore. Organet e ngarkuara për zbatimin e këtij udhëzimi janë zyrat e gjendjeve civile në bashki/komuna/njësi bashkiake, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›