Alibeaj Akuzat te bazuara vetem ne librin policesk te Del Pontes
Zbulohen fragmente nga negociatat e prokurorisë serbe me palën shqiptare për hetime në territorin e vendit tonë. Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka pranuar dje të ketë refuzuar kërkesën e prokurorit serb për hetime në Shqipëri në lidhje me trafikun e organeve. “Prokuroria serbe kishte regjistruar një çështje penale më objekt krime kundër njerëzimit, baza e vetme e provës ishte libri i Del Pontes. Prokuroria serbe nuk kishte treguar asnjë fakt dhe asnjë provë. Në fund të materialit prokuroria serbe shkruan: Nuk ka njohuri të sigurta për torturat dhe nuk ka asnjë provë për to”, tha Alibeaj. Ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht deputet dhe anëtar i Komisionit të Ligjeve, thotë se kërkesa nuk përmbushte asnjë pikë të konventës europiane në fuqi. Deputeti demokrat, Alibeaj, thotë se në kërkesë nuk saktësohej se çfarë i kërkohej prokurorisë shqiptare. Ai ka shtuar se Prokuroria e Burrelit kishte kryer dy hetime të njëpasnjëshme dhe nuk rezultonte të kishte qoftë edhe një provë për këtë trafik. “Kërkesa nuk përmbushte asnjë prej dy kërkesave të konventës së Këshillit të Europës. Duhet të tregoheshin burimet e provave dhe të tregohej saktësisht se çfarë ka ndodhur. Prokuroria shqiptare e ka bërë këtë detyrë që në vitin 2002 dhe nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt shkencor, asgjë”, shton Alibeaj. Ish-ministri i Drejtësisë, deklaron se, vetëm pak kohë më vonë, i dha të drejtën e hetimeve UNMIK-ut, i cili paraqiti një kërkesë ligjore, si dhe Ministria e Drejtësisë i ka dhënë të gjithë infrastrukturën e nevojshme në mjete dhe njerëz edhe Dick Marty-t për të kryer hetimet e tij. Për deputetin e PD-së e gjithë kjo histori ka shtysë vetëm librin e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte dhe asnjë të vërtetë tjetër. “Kam respekt për dellin poetik të prokurorëve edhe kur ata janë të dështuar në profesionin e tyre. Ky është një roman policesk, më tepër sesa juridik”, tha deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj.