E Diel, 1 Nëntor 2026

Izolohet durrsaku në gjendje koma, mjekohet me tamiflu

Sipas Institutit të Higjenës, sikurse tha mjeku Alban Hatibi, shef i repartit të Reanimacionit në Sanatorium, pacienti mbart virusin A, por ai theksoi se nuk ka konfirmim për tipin A/H1N1


Rreziku i përkeqësimit të virusit të gripit të derrit u shtua pas shtrimit të një 45-vjeçari në Senatorium në Tiranë. Pacienti u klasifikua si në gjendje të rëndë për jetën. Autoritetet shëndetësorë konfirmuan te pacienti virusin A, por jo tipin A/H1N1 që është gripi i derrit. Autoritetet thanë gjithashtu se presin analizat nga laboratori i Bukureshtit në Rumani, në një kohë që i sëmuri po trajtohet me tamiflu. Pacienti është një burrë 45-vjeçar i dyshuar se ka gripin e derrit dhe që ndodhet në gjendje koma. Ai thuhet se i ka të afërmit në Itali. Sipas Institutit të Higjenës, sikurse tha mjeku Alban Hatibi, shef i repartit të Reanimacionit në Sanatorium, pacienti mbart virusin A, por ai theksoi se nuk ka konfirmim për tipin A/H1N1. 45-vjeçari u shtrua të dielën në Sanatorium nga urgjenca e Tiranës. Emri i 45-vjeçarit që raportohet të jetë nga Durrësi, nuk është treguar. Gjendja e pacientit u rëndua pasi ai sipas mjekut Hatibi, ka hepatit (sëmundje mëlçie) dhe veshkash për shkak të përdorimit të alkoolit. "Duke qenë se nga Instituti i Higjenës erdhi përgjigja e parë si virusi A, jo tipi H1N1, në këtë lloj probabiliteti klinik që mund të jetë qoftë edhe ky tip i virusit, ne kemi filluar mjekimin standard që është tamiflu. Situata, derisa ai vazhdon me respiratorë, mbahet me ilaçe në mënyrë artificiale, ka rezerva, gjithmonë edhe për atë që quhet prognozë. Të dhënat klinike japin optimizëm"-tha doktor Hatibi. Ndërkohë, autoritetet shtuan se janë duke pritur analizat nga laboratori i Bukureshtit në Rumani nëse rasti në fjalë është grip derri. Nëndrejtori Sanatoriumit, Arjan Mezini thotë se janë marrë masat për të mbrojtur personelin, se është izoluar pacienti 45-vjeçar dhe se janë larguar të sëmurët e tjerë. Mjeku Mezini konfirmoi se rasti i shtruar në Sanatorium është transferuar në reanimacion. "Në atë moment,-tha Mezini, duke iu referuar mbërritjes së 45-vjeçarit në Sanatorium,- mund të ketë pasur dy të sëmurë. Në momentin që erdhi dyshimi i parë filloi trajtimi për të si dhe do të merret i mirëfilltë trajtimi edhe për atë lloj patologjie siç është gripi i derrit. Pacienti është izoluar, personeli është i gjithi me maska dhe në reanimacion nuk ka më asnjë pacient, pasi janë zhvendosur në dy apo tre dhoma të tjera". Numri i të prekurve nga gripi i derrit është gjithsej 29. Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi dje 9 raste të tjera pasi raportoi analizat që mbërritën në Shqipëri mbrëmjen e së enjtes nga Bukureshti. Nga 9 rastet e konfirmuar, numri më i madh i të prekurve njëherësh, pesë janë në Tiranë, dy në Gjirokastër dhe dy të tjerët në Devoll. Të gjithë të prekurit e fundit janë mbi 15-vjeçarë. Më shumë se 300 mostra janë dërguar herëpashere në laboratorin e Bukureshtit që nga mesi i korrikut kur në vend u raportua rasti i parë me gripin e derrit, një formë  e lehtë që e kishte një student nga Gjirokastra në Tiranë. Deri tani të gjitha format kanë qenë të lehta, por zyrtarë të shëndetësisë druhen për shtim të rasteve gjatë periudhës së shtatorit, andaj kanë bërë thirrje të vazhdueshme për zbatimin të rreptë të higjienës vetjake.
 
 
 
Virusi
 
Shqipëria nuk siguron dot vaksinën
 
TIRANë- Vaksina kundër virusit A(H1N1) duket se do të qëndrojë edhe për shumë kohë larg Shqipërisë, edhe pse tashmë në vendin tonë janë konfirmuar të paktën 29 pacient të prekur nga gripi i derrit. Një takim i Ministres së Shëndetësisë me drejtoreshën e Qendrës Evropiane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (ECDC) nuk ka sjellë asgjë të re për vaksinën e shumëpritur. Megjithë mbështetjen që drejtoresha e kësaj organizate Zsuzsanna Jakab ka dhënë për Shqipërinë, situata do të vazhdojë po e njëjtë, pasi diskutimi i djeshëm për gjendjen e krijuar në vend nga virusi vdekjeprurës ka qenë në planin sugjerues dhe pa zgjidhje konkrete. Zyra e shtypit e Ministrisë së Shëndetësisë bëri të ditur se Jakab, pasi vlerësoi masat e marra nga strukturat e shëndetësisë për përballimin e përhapjes së gripit A (H1N1), rekomandoi eksplorimin e mundësisë së prokurimit të vaksinës ndaj virusit A (H1N1) përmes kanaleve të Bashkimit Evropian. Shqipëria është tashmë në rrugën e hyrjes në BE, dhe rrjedhimisht është në interesin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të BE, përqasja solidare në kontrollin e sëmundjeve infektive. Gjithashtu, në takim u theksua se janë duke u vlerësuar kapacitetet prodhuese në vende të Evropës Qendrore, apo të rajonit, me qëllim shpërndarjen e vaksinës në mënyrë sa më të drejtë. Këtu duket se ka përfunduar gjithë diskutimi për mundësinë e sigurimit të vaksinës nga Shqipëria, gjë që duket tepër e vështirë. Përveç kapaciteteve të ulëta prodhuese dhe kërkesës gjithmonë në rritje, një tjetër problem i artikuluar nga pala shqiptare janë dhe fondet e pamjaftueshme për blerjen e vaksinës. Deri tani, dy vendet që kanë arritur të sigurojnë vaksinën kundër virusit A(H1N1) janë Anglia dhe Franca, të cilat në fillim të shtatorit do të mund të kenë dozat e para të kësaj vaksine.
 
 
 
 
Dy emigrantë të prekur nga virusi A H1N1
 
GJIROKASTëR- Numri i të prekurve nga virusi vdekjeprurës është shtuar dje edhe me dy pacientë të tjerë, tw cilwt janw diagnostikuar me AH1N1. Dy personat janë diagnostikuar në rrethin e Gjirokastrës, ndërsa rezulton se ata janë emigrantë në Greqi, vend ky i prekur në masë nga virusi pandemik. Sipas burimeve në spitalin rajonal të Gjirokastrës mësohet se dy rastet e diagnostikuar janë dy emigrantë të cilët kishin ardhur javët e fundit nga Greqia për të kaluar pushimet verore në Gjirokastër. Dy emigrantët janë paraqitur në spital me simptoma të ngjashme me ato të gripit të derrave si temperaturë e lartë, kollë, dhimbje fyti etj. Për gati një javë ata kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës. “Ndërkohë nisur nga dyshimet që kishim pasi simptomat që ata shfaqnin ishin të ngjashme me prekjen nga virusi H1N1 ne i nisëm analizat e tyre në drejtim të Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë”, thonë mjekët infeksionistë në spitalin e Gjirokastrës. Pas shtatë ditësh pas marrjes së mjekimit dhe përmirësimit të ndjeshëm të situatës shëndetësore të dy emigrantët kanë dalë nga spitali. Ndërkohë përgjigja e analizave e mbërritur ditën e premte për këta dy persona ka konfirmuar se ata ishin prekur nga virusi i gripit të derrave duke shënuar kështu dy rastet e para të infektuara me virusin H1N1 në Gjirokastër. Sipas bluzave të bardha, të dy emigrantët aktualisht paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore dhe duket se fazat e sëmundjes ata i kanë kaluar lehtë dhe pa komplikacione të mëtejshme. Pas konstatimit të këtyre dy rasteve të prekura nga virusi i gripit të derrave organizmat shëndetësorë në Gjirokastër kanë kërkuar nga popullata që të tregohet e kujdesshme përse i përket masave parandaluese në lidhje me prekjen nga ky virus, mbajtjen e një higjene të kujdesshme personale etj.
B. Shehu

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›