E Diel, 1 Nëntor 2026

Izrael: 1.600 shtëpi të reja në Jerusalem, reagon BE-ja

Vendimi vjen në kohën që zëvendëspresidenti i SHBA-ve Xho Bajden po kryen një vizitë në Izrael që synonte të ritheksonte përkushtimin e presidentit Barak Obama për sigurinë e shtetit hebre në rast të ndonjë kërcënimi bërthamor nga ana e Iranit. Ky vendim zbeh arsyen e vizitës duke e kthyer vëmendjen në çështje tjetër.

Për këtë arsye, një ministër izraelit kërkoi ndjesë sot për shpalljen e planit gjatë kohës që zëvendëspresidenti po kryente vizitën e tij në Izrael.

Ministri i Çështjeve Sociale, Isaac Herzog, gjatë një interviste në radion e ushtrisë deklaroi se "Kjo nuk duhej të ndodhte gjatë vizitës së zëvendëspresidentit të SHBA-së. Kjo është një ngatërresë e vërtetë dhe tani ne duhet të shprehim keqardhjen tonë për këtë gafë të rëndë".

Pas shpalljes së planit të ri, Bajden i la të prisnin për 90 minuta kryeministrin Netanjahu dhe bashkëshorten e tij Sara në një darkë të cilët këta të fundit e kishin organizuar posaçërisht për të dhe për bashkëshorten e tij Jill.

Ndërkohë zyrtarët palestinezë deklaruan se planet për ndërtime të reja pranë Jerusalemit do të prishnin çdo shans për rinisjen e bisedimeve për paqen.

Kryenegociatori i palestinezëve, Saeb Erekat, tha se plani i ri për ndërtimet e vendbanimeve do jetë temë kryesore në bisedimet ndërmjet Bajden dhe presidentit të autoritetit palestinez Mahmoud Abbas.

Reagon dhe Bashkimi Evropian

Përfaqësuesja e lartë e politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, reagoi pas deklaratës së ministrit të Brendshëm izraelit për ndërtimin e rreth 1600 vendbanimeve të reja në lindje të Jerusalemit.

Gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian ajo shprehet: "Me lejoni të bashkohem me zëvendëspresidentin e SHBA-së Xho Bajden për të dënuar ndërtimin e 1600 vendbanimeve të reja në Jerusalemin Lindor".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›