Izrael, akuza të reja ndaj ish-kryeministrit

Ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert, është ngarkuar sot me akuza të reja për korrupsion, atë për “kërkim ryshfeti në një sërë projektesh të pasurive të patundshme”.
Krimet e pretenduara lidhen me kohën kur Olmerti shërbente si kryebashkiak i Jerusalemit , pozitë kjo që ka mbajtur para se të bëhej kryeministër në vitin 2006. Olmert i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.
Avokati i tij, Eli Zohar, tha për agjencinë Reuters së “klienti i tij nuk ka pranuar ryshfet”.
“Unë nuk di çfarë mosmarrëveshjesh ka, Ehud Olmert nuk ka pranuar ryshfet”, tha ai.
Ish-lideri izraelit, i cili tashmë përballet me gjykim në lidhje me të tjera akuza për korrupsion, është njollosur me dyshimet për vepra korruptive gjatë karrierës së tij 30-vjeçare politike, por pa u dënuar ndonjëherë.
Megjithatë, këto akuza kanë detyruar Olmertin të japë dorëheqje pas shërbimit trevjeçar si kryeministër, në vitin 2009.