Izrael, qeveria vendos lirim të menjëhershëm të aktivistëve të ndaluar
Qeveria izraelite vendosi lirimin e të gjithë aktivistëve propalestinezë të ndaluar pas sulmit të së hënës të komandove izraelitë mbi bordin e anijeve të ndihmave për në Rripin e Gazas. "U ra dakort lirimi i menjëhershëm i të ndaluarve, përfshirë edhe ata që fillimisht do proçedoheshin", njoftohet në një komunikatë të autoriteteve izraelite.
Vendimi izraelit vjen pas presioneve ndërkombëtare për lirimin e të ndaluarve. Rreth 600 aktivistë propalestinezë të ekuipazhit të flotës me ndihma humanitare u sulmuan nga Izraeli ditën e hënë, dhe u arrestuan prej autoriteteve hebreje.
Sipas autoriteteve izraelite nga 682 personat që ndodheshin në bord , 600 janë mbajtur nën masën e arrestit në burgun e Beer Sheva-s. Por në të dhënat e publikuara nga Tel Avivi nuk dihet nëse përfshihen apo jo personat e vrarë në sulmin kundër flotës humanitare, që dyshohet të jenë të paktën 9 persona. Gjithashtu radioja publike izraelite njofton për 48 aktivistë propalestinezë dhe 6 ushtarë izraelitë të plagosur nga incidenti së hënës.