Japoni, dorëhiqet kryeministri
Kryeministri japonez Yukio Hatoyama, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i qeverisë dhe nga kreu i partisë demokratike japoneze. Lajmi është bërë publik nga televizioni publik japonez Nhk, duke cituar vetë kryeministrin dhe eksponentë të partisë së tij. Sipas disa sondazheve të fundit, bëhet me dije se partia e tij ka pësuar rënie përsa i përket kredibilitetit. Hatojama deklaroi se do të largohet për shkak se ka dështuar në fushatën e tij, ku premtoi që ta zhvendosë bazën ushtarake amerikane nga ishulli i Okinaua-s.
Pas tetë muajsh në zyrë, kryeministri përballet kështu, me presione të shtuara nga partia e tij për t'u larguar para zgjedhjeve të korrikut. Ai gjendej nën trysni masive brenda Partisë së tij Demokratike për arsye të skandaleve me dhuratat në të holla për partinë dhe të mbajtjes së bazës ajrore amerikane në ishullin Okinava. Anëtarët e tjerë të partisë, të cilët për shkak të politikës së diskutueshme të Hatojamës duhet të kenë frikë për rizgjedhjen e tyre në dhomën e lartë, kishin kërkuar shumë qartë dorëheqjen e kryetarit të partisë dhe të qeverisë. Ndërkohë, kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e ekzekutivit të Tokios është ministri i Financave dhe zv/kryeministri Naoto Kan.
Kjo hipotezë ka bërë që jeni japonez të humbasë terren, ndërsa largimi i Hatoyama-s ka bërë që bursa e Tokjos të mbyllet me bilanc negativ.